Deputeti i LVV-së, Dimal Basha, ka sulmuar përmes një postimi në ‘facebook’ udhëheqësin e zyrës së Reporterëve pa Kufij për Ballkanin Perëndimor, Pavol Szalai, pasi ky i fundit ka folur për mediat në Kosovë lidhur me gjendjen e rënduar të lirisë së mediave dhe gjetjet e raportit vjetor të RSF-së, shkruan Gazeta Express.
Basha i është referuar Szalait si “hungarez” dhe i ka kërkuar të merret me problemet në “shtetin e tij”.
Megjithatë në profilin e Szalait në “X”, shkruhet qartazi që është i lindur në Sllovaki, gjë për të cilën deputetit Basha i ka reaguar edhe ECPMF, duke i quajtur si “Deklarime të rreme për origjinën e Pavol Szalait”.

“Sulmet ndaj anëtarëve të stafit të organizatave ndërkombëtare nuk ndihmojnë — ato vetëm sa e përforcojnë mjedisin e rrezikshëm me të cilin përballen gazetarët dhe aktivistët në Kosovë”, thuhet në reagimin e ECPMF.
