Në muajin prill të këtij viti, Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen në Malishevë, i kishte kanosur dy vëllezërit.
Kjo disa ditë pasi Isufi kishte ushtruar dhunë ndaj motrës së tyre, pra bashkëshortes së tij.
Ngjarja kishte ndodhur më 5 prill të këtij viti, vetëm gjashtë ditë pasi i dyshuari ishte denoncuar për rrahjen e bashkëshortes së tij, motrës së të dëmtuarve. 11 ditë më vonë, për rastin e dhunës në familje, Astrit Isufi do të dënohej me 154 ditë burgim e 800 euro gjobë nga një gjykatë e shkallës së parë, raportoi sot Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Paulin Pashku, vrasësi i dyshuar Astrit Isufi dhe vëllai i tij Petrit Isufi i kishin kanosur seriozisht me dashje dy anëtarë të familjes së miqve pas një konflikti verbal.
“I akuzuari Astrit Isufi iu ishte drejtuar me fjalë të dëmtuarve ‘dilum nga lokali se ju vras dhe kini afat deri të shkoni në shtëpi, sepse si te shkoni ne shtëpi unë do t’iu vrasë’, kurse i akuzuari Petrit Isufi iu ishte drejtuar me fjalët ‘dilni jashtë se ju vras’”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton Paparaci.
Astrit Isufi dhe vëllai i tij e kishin pranuar fajësinë për kanosje që në seancën fillestare të rastit në Gjykatë, sipas dosjes së Gjykatës.
Prokurori Pashku i kishte propozuar Gjykatës që pranimi i fajësisë nga dy të pandehurit të merrej si rrethanë lehtësuese, të cilën Gjykata e kishte marrë parasysh.
Kësisoj, vëllezërit Isufi i kishin shpëtuar një dënimi maksimal deri në një vit burgim për veprën penale të kanosjes. Ishin dënuar me 200 euro gjobë, tregojnë shkresat e lëndës.
“Të akuzuarve Astrit Isufi dhe Petrit Isufi, secilit veç e veç, në shumë prej 200 (dyqind) €, të cilin do të e paguajnë në afat prej 15 ditë, nga dita e plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shpallur më 19 shtator të këtij viti.






