Ministri i Financave, Hekuran Murati të shtunën doli me disa statistika, të cilat sipas tij, tregojnë se paga mesatare për sektorin privat dhe publik në tri vitet e fundit është rritur për 104 euro. Megjithatë, ai la diçka pa përmendur: inflacionin. Kjo iu kujtua nga zyrtarët e opozitës, të cilët kanë bërë disa reagime pas këtij shkrimi të ministrit të Qeverisë Kurti.
Fillimisht, Murati tha se për shtatë vite në qeverisjet e kaluara, paga ishte rritur vetëm 94 euro. Madje, sipas tij, ishte rritur vetëm në kohë fushate, duke mos përmendur rritjen prej 20 eurove që ua bëri Qeveria Kurti pensionistëve së fundi, tash që zgjedhjet po afrohen edhe më shumë.
“Përderisa është e vërtetë se në vite të caktuara kishte pasur rritje të pagave në sektorin publik me vendime në kohë fushate zgjedhore, të dhënat e dëshmojnë se kjo rritje ishte bërë në kurriz të sektorit privat…” – shkroi ai.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se vlera reale e pagës për vitin 2023 është 395 euro, duke marrë parasysh inflacionin.
“- 17% është rritë paga mesatare neto në 4 vitë të kësaj Qeverie
– 22 % janë rrië çmimet
– 50 % janë rritë çmimet e produkteve bazike (bukë, vaj, sheqer, qumësht)
– 60% e kësaj page shkon për ushqime dhe barna (rekord negativ krahasuar me të gjitha vendet në Evropë).” – ka shkruar tutje ai.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se gjatë mandatit të Qeverisë, pagat janë rritur për kabinetin qeveritar 50 për qind, dhe 6.8 euro në fund të mandatit për sektorin publik.
“Norma mesatare e rritjes së çmimeve gjatë këtij mandati është 22%, por produktet që na duhen për konsum për çdo ditë kanë pasë ngritje të çmimit mbi 50%.
Për plot gjëra Qeveria edhe mund të manipuloj me statistika, por janë disa gjëra me të cilat askënd s’mund ta mashtroni, për shembull për çmimet dhe pagat, sepse secili qytetar e din sa e merr pagën dhe gjithashtu e din se çka mund të blej me atë pagë sot.” – ka shkruar ajo.
Ndërkohë, zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka krahasuar pagën mesatare në Kosovë me vendet e rajonit.
“Ku ka mbërri paga mesatare në vendet e rajonit e ku në Kosovë?
Në vitin 2014, paga mesatare në Kosovë ishte më e lartë sesa paga mesatare në Shqipëri për 78 euro dhe vetëm për 108 euro, përkatësisht, 104 euro më e ulët sesa paga mesatare në Maqedoni e Serbi.
Në vitin 2023, jo vetëm që paga mesatare në Kosovë tani më është më e ulëta në tërë rajonin, por shihet se është rritë dukshëm dallimi për të keq me vendet e rajonit.” – ka thënë ai.
Në fund, ai i ka bërë thirrje Muratit që t’i pyes qytetarët rreth ndikimit që ka pasur rritja e tanishme, dhe ajo e qëverive të mëparshme.
“Përndryshe, Ministri i Financave ish munduar ta bëjë një krahasim propagandistik ndërmjet rritjes së pagave nën qeverisjen e PDK-së dhe rritjes së tanishme, por kjo nuk ka nevojë për përgjigje këtu.
Le të del pak nga zyrja për ti pyet qytetarët dhe ata do t’ia japin përgjigjen rreth ndikimit që e ka pasur në jetën e tyre rritja e atëhershme dhe kjo e sotmja!” – ka shkruar Mustafa.