Portieri italian, Gianluigi Donnarumma, ka reaguar publikisht pas largimit nga Paris Saint-Germain, duke shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën si ndodhi ndarja.
PSG kishte afruar para disa ditësh portierin francez, Lucas Chevalier nga Lille, duke bërë që Donnarumma të largohet nga planet e trajnerit Luis Enrique.
“Për tifozët e veçantë të Parisit. Që nga dita e parë që erdha, dhashë gjithçka – brenda dhe jashtë fushës – për të fituar vendin tim dhe për të mbrojtur portën e PSG-së. Fatkeqësisht, dikush vendosi që nuk mund të jem më pjesë e grupit dhe të kontribuoj në suksesin e skuadrës. Jam i zhgënjyer dhe i thyer shpirtërisht”.
“Shpresoj të kem mundësinë t’ju shoh edhe një herë në “Parc des Princes” dhe t’ju them lamtumirë siç duhet. Nëse kjo nuk ndodh, dua që ta dini se mbështetja dhe dashuria juaj kanë qenë gjithçka për mua dhe nuk do ta harroj kurrë. Do të mbaj gjithmonë me vete kujtimin e emocioneve, netëve magjike dhe ju që më bëtë të ndihem si në shtëpi”.
“Për bashkëlojtarët e mi, familjen time të dytë, faleminderit për çdo betejë, çdo të qeshur dhe çdo moment që ndamë. Do të jeni gjithmonë vëllezërit e mi. Të luash për këtë klub dhe të jetosh në këtë qytet ka qenë një nder i madh. Faleminderit, Paris”, ka shkruar Donnarumma.
Ky reagim vjen në një moment kur pritet të zbardhen detajet e destinacionit të tij të ri pas largimit nga kampionët e Francës, me trajnerin Luis Enrique që e pranoi se ishte vendim i tij largimi i portierit italian.
Man City dhe Man Utd janë dy klubet e interesuara për shërbimet e portierit të njohur italian.