21.3 C
New York
Saturday, August 2, 2025

Buy now

Dikur e kritikuan presidenten që kërkoi heqjen e tarifës për produktet amerikane, Qeveria sot u bind: Çka ndodhi?

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim për heqjen e tarifës prej 10 për produktet që vijnë nga ShBA-ja. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe zëvendësministri në detyrë i Financave, Avni Zogiani, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se pse ky vendim është marrë tani dhe jo në muajin prill, kur presidentja Vjosa Osmani kishte kërkua pezullimin e kësaj takse.

Në adresimin e tij para kabinetit qeveritar, kryeministri Kurti tha vetëm se Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj.

“Tjetër vendim i rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore për SHBA-në. Kështu nga tani e tutje të gjitha produktet nga SHBA do kenë zero për qind tarifë kur të hyjnë në Kosovë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë Kurti.

Kurse, kryediplomatja Gërvalla këtë vendim të Qeverisë e cilësoi si hap të guximshëm.

“Gjatë katër vjeçit që lamë prapa, marrëdhëniet me SHBA-të kanë arritur një transformim substancial, i cili ka çuar në forcimin të marrëdhënieve bilaterale në fusha të rëndësishme, sidomos në fushën e sigurisë dhe diplomcisë. Prandaj, këtë vendim, që shpresoj që do ta marrim sot, e shohim si vazhdimësi të politikave të pandara të vendit tonë me SHBA-të, jo vetëm në forcimin e miqësisë, por në krijimin dhe forcimin e një partneriteti me shtetin, i cili ka qenë gjithmonë përkrahës në temat që kanë të bëjnë me shtetësinë tonë. Prandaj, faleminderit shumë edhe ministrisë së Financave, edhe ju kryeministër për gatishmërinë që të bëjmë këtë hap të guximshëm nder të parët në kontinentin tonë”, ka thënë Gërvalla.

Vendimin e Qeverisë e komentoi edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili nuk ishte pjesë e mbledhje se stome.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se një dëshmi tjetër për partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës merr vendim: 0% tarifë doganore për produktet Amerikane! Edhe një dëshmi tjetër për partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Le të jetë ky një hap i parë drejt një marrëveshjeje për tregti të lirë në mes të vendeve tona”, ka shkruar ai.

Por, kështu Murati nuk kishte vepruar para disa muajve, kur presidentja Osmani i kërkoi në mënyrë zyrtare Qeverisë heqjen e kësaj tarife.

Ai e kishte kritikuar presidenten për këtë kërkesë publike.

“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, kishte shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Duke iu përgjigjur presidentes Osmani, ai pretendonte se edhe qeveria është duke punuar në këtë drejtim.

“Qysh në prill të vitit 2023, gjatë vizitës në Ëashington DC, bashkë me zëvendës kryeministrin Bislimi kemi takuar përfaqësues të Departamentit të Tregtisë, me të cilët kemi diskutuar ndër tjera edhe temën e një marrëveshjeje për tregti të lirë me ShBA-të. Çështja e marrëveshjes për tregti të lirë është përsëritur nga Kryeministri Kurti edhe në takimet që ka zhvilluar me ish ambasadorin amerikan Hovenier. Gatishmëria jonë si qeveri dhe si shtet për të pasur tregti të lirë e pa asnjë barrierë tarifore apo jo-tarifore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të qëndrojë edhe më tej”, kishte thënë ai.

Në 3 prill, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e taksës prej 10% për produktet amerikane.

“Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata”, kishte shkruat Osmani në llogarinë e saj në “X”.

Pas presidentes, edhe opozita dhe odat ekonomie i kishin kërkuar Qeverisë Kurti që të heq tarifën ndaj produkteve amerikane, por qeveria nuk jepte shenja se është duke punuar në këtë drejtim.

Të ngjashme

Të fundit