Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdimësi gjatë fushatës ka sulmuar mediat dhe gazetarës, derisa një praktikë të tillë e vazhdoi edhe të premten gjatë një tubimi zgjedhor në qytetin e Kamenicës. Lideri i Vetëvendosjes u tha qytetarëve atje se raportimet e mediave janë të parëndësishme.
Një gjë e tillë veçse ka nxitur reagime. Shumë persona nëpër rrjete sociale e kanë pyetur kryeministrin se nëse janë të parëndësishme, pse u jepet kaq shumë rëndësi.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka përmendur se Kurti mes tjerash edhe shan, ofendon e u jep epitete të ndryshme mediave.
“I shan, i ofendon, iu jep epitete të llojllojshme, dhe në fund iu thotë se janë të parëndësishme.
Nëse janë të parëndësishme, pse flet për media, pse iu jep rëndësi, pse iu kushton kohë, pse flet për to o Big Brother talent” – ka shkruar ai.
Për lirinë e mediave dhe zhvillimin e tyre, ka shkruar edhe juristja e njohur, Flutura Kusari:
“E drejta e lirisë së mediave është gurëthemeli i demokracisë tonë dhe krijimi dhe zhvillimi i mediave është gjëja më e mirë që i ka ndodhë Kosovës që nga viti 1999”.
Në anën tjetër, profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi ka thënë se edhe diktatorët më monstruozë e kanë kuptuar se mediat janë të rëndësishme.
“Kurti për mediat: Janë të parëndësishme” (Nacionale, 25 janar 2025) Koment: Kështu kanë menduar vetëm para zbulimit të Gutenbergut. Kurrë ma! Bile edhe diktatorët më monstruozë e kanë kuptuar se mediet janë të rëndësishme. Prandaj ose i kanë futur nën kontroll, ose i kanë mbyll” – ka thënë ai.
Çka tha Kurti?
Gjatë një tubimi zgjedhor në Kamenicë, kryeministri sulmoi mediat që raportojnë për skandalet e qeverisë së tij.
Kurti u tha qytetarëve se mediat janë të parëndësishme.
“E, këto partitë opozitare me keqardhje e them se moti janë bërë si mallra që shiten e blihen, por kësaj radhe edhe iu ka skaduar afati. E tash, shumë njerëz, portale oligarkësh rrotull tyre, po na sulmojnë e po na akuzojnë, me shpifje nga më të ndryshmet, thjesht të dashur qytetarë, disa njerëz nuk po mund të pajtohen me faktin se nuk po ka kurrfarë rëndësie, ama bash kurrfarë rëndësie se çka thonë ata” – tha fillimisht ai.
“Sa më parë që e kuptojmë parëndësinë e vetës, i shtojnë rëndësi vetës për të ardhmen. Mirëpo është e qartë që sulmet e akuzat e tyre me përmbajtje shpifje janë dëshmi për neve, se ende nuk janë vetdijesuar e ndërgjegjësuar për parëndësinë e tyre” – shtoi kryetari i Vetëvendosjes.