Home Lajme Diktati i ShSKUK-së nuk i lë punonjësit shëndetësorë të flasin për media

Diktati i ShSKUK-së nuk i lë punonjësit shëndetësorë të flasin për media

0
Diktati i ShSKUK-së nuk i lë punonjësit shëndetësorë të flasin për media
Informacione lidhur me problemet e koeficientit, me të cilin po përballen teknikët e Radiologjisë, u bënë të ditura për KIKS-in vetëm përmes avokatit përfaqësues të këtij rasti, Florim Shefqeti, pasi që ShSKUK-ja, për këtë rast, u mundua t’i heshtë punëtorët e saj.

KIKS-i, por edhe vetë punëtorët e kësaj klinike, kanë bërë kërkesë nga Shërbimi Spitalor që për brengën e tyre të flasin para kamere, mirëpo një e drejtë e tillë iu mohua atyre. Pavarësisht insistimit dhe dëshirës së teknikëve të radiologjisë për të u rrëfyer për këtë problem para kamerave të KIKS-it, një gjë e tillë nuk iu lejua atyre nga ShSKUK-ja.

Pyetjeve të KIKS-it për këtë temë, ShSKUK-ja nuk mori mundin t’u formulojë as përgjigje të shkruar. Ky institucion ende po vazhdon me avazin e njëjtë të përgjigjeve kundrejt mediave. Përgjigjet që kërkohen jepen vetëm përmes emailit por asnjëherë përpara kamerës, gjë e cila i pamundëson gazetarit që të shtojë nënpyetje.

Nga emaili i tyre zyrtar ata përcollën një sqarim të shkruar për ndryshimin e Ligjit të pagave, të cilin shefi i sektorit të Burimeve Njerëzore, Alban Janova, e kishte shkruar dhe përcjellë në një adresë tjetër që nga data 28 shtator.

Në sqarimin e përcjellë, Janova largon barrën e përgjegjësisë së ndryshimit të koeficienteve nga institucioni ku punon, duke drejtuar gishtin nga MPB-ja.

Në atë sqarim shtohet se komisioni i formuar nga ShSKUK-ja ka kërkuar nga të gjithë sektorët të dërgojnë të dhënat e punëtorëve bashkë me koeficientet dhe ato lista janë përcjellë tutje.

Pra ShSKUK-ja u ka dërguar atyre vetëm listën e punëtorëve, kualifikimet që ata i kanë, por pa e theksuar nivelin e rrezikshmërisë që ata i nënshtrohen çdo ditë.

Exit mobile version