Nga Shërbimin Korrektues i Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë vitit 2023 ka pasur dyfishim të rasteve të parandalimit të kontrabandës.
Drejtori i ShKK-së, Ismail Dibrani, tha se sasia më e madhe e kontrabandës me lëndë narkotike ka qenë gjysmë kilogrami, ndërsa 60 raste me kontrabandë janë parandaluar gjatë vitit të kaluar.
Ai është shprehur se kontrabanda ndihmohet nga furnizuesit e familjarët e të burgosurve.
“Afër 60 raste vetëm në vitin 2023 kemi arritur të parandalojmë raste të futjes së kontrabandës edhe përmes familjarëve por edhe përmes vetë të dënuarve. Fatkeqësisht kemi pas raste kur edhe përmes kompanive të ndryshme të cilat furnizojnë institucionet tona është tentuar të futet kontrabanda por edhe në këtë aspekt kemi avancuar edhe me pajisje teknologjike por edhe në këtë drejtim neve na ka ndihmuar shumë edhe fuqizimi i njësisë së inteligjencës e cila funksionon në kuadër të shërbimit korrektues përmes të cilës kemi arritur përmes informacioneve që kemi pranuar nga kjo njësi të parandalojmë numrin e madh të këtyre rasteve, natyrisht janë në burgje dhe forma dhe metoda për futjen e kontrabandës janë të shumta dhe nuk mund të eliminohen në asnjë rrethanë. Ka raste ndër vite kur deri në gjysmë kilogrami”, ka thënë ai.
Drejtori i ShKK-së ka thënë se ka raste edhe kur zyrtarët e Shërbimit Korrektues janë kapur duke tentuar të fusin kontrabandë.
“Fatkeqësisht kemi pas raste por që numri më i vogël është kur zyrtarët tanë kanë tentuar të fusin kontrabandë por që fatkeqësisht ata janë përfunduar përveç që kanë humbur vendin e punës ka raste edhe kur janë arrestuar dhe dënuar dhe ka raste kur vazhdojnë me e mbajt dënimin”, thotë Dibrani.
Ndonëse nuk kanë statistika të sakta për numrin e të burgosurve në burgje e qendra korrektuese, Dibrani thotë se numri i tyre nuk kalon mbi 1800 të burgosur.
“Nuk kemi statistikë të qartë për moshën por kryesisht janë të gjitha, fatmirësisht Kosova është vend ku më së miri qëndron sa i përket statistikave për të mitur dhe për gra, d.m.th është numër i vogël. Të dënuar nuk e kalon numrin 20 as për të mitur dhe as për gra. Gjendja momentale kur po flasim sot i kemi 1600 persona që mbahen në Institucione Korrektuese. 1100 janë të dënuar dhe 500 të paraburgosur. Këto shifra variojnë por nuk e kalon numrin 1700 apo 1800”, është shprehur Dibrani.
Dibrani tha se kryerësit e veprave nuk janë recidivist, sipas tij, përjashtuar disa për vjedhje.
“Fatmirësisht edhe në këtë aspekt qëndrojmë mirë është numër i vogël nuk ka shifra të sakta se sa është numri i recidivisteve sepse duhet me u bë hulumtim ndër vite, por edhe në këtë aspekt qëndrojmë mirë përjashto rastet e vjedhjeve, nuk kemi vepra tjera që janë recidivistë. D.m.th numri më i madh i rasteve të recidivisteve është vjedhje”, u shpreh tutje ai./EO/