Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njofton se remitancat, si kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, arritën vlerën 86.14 milionë euro në janar 2025, një vlerë afërsisht të njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas vlerësimeve preliminare, remitancat për muajin shkurt 2025 arritën në 88.12 milionë euro, duke sjellë një total prej 174.26 milionë euro (preliminare) për dy muajt e parë të vitit 2025.
“Sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin shkurt 2025 ishin rreth 88.12 milionë euro, duke arritur kështu vlerën 174.26 milion euro (preliminare) për dy muajt e parë të vitit 2025. Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit shkurt 2025 kanë qenë përmes IFJB-ve me 62.65%, bankave komerciale me 16.45% dhe kanaleve tjera me 20.90%”, thuhet në raportin për statistikat e Sektorit të Jashtëm për tremujorin e katër 2024 dhe Bilancit të Pagesave për muajin janar 2025.
Sipas BQK-së, bilanci i pagesave – në fund të muajit janar 2025 u karakterizua me deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 21.36 milionë euro, i cili tregon thellim të deficitit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur llogaria rrjedhëse kishte suficit prej 6.78 milionë euro.
Shkaktari kryesor i këtij deficiti është rritja e deficitit në bilancin tregtar.
Sipas BQK-së, investimet direkte në Kosovë për janar 2025 arritën në 90.96 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 12.19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës arritën në 16.19 milionë euro, me një rritje prej 19.12% krahasuar me janar 2024.
“Asetet rezervë deri në janar 2025 janë rritur për 45.95 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishin 15.21 milionë euro. Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave për 45.95 milionë euro, ndërsa nuk ka pas investime në letra me vlerë gjatë muajit janar 2025”, njofton tutje BQK-ja.