Pas qëndrimit të kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Ballkan, duket se dialogu Kosovë-Serbi, pas disa vitesh ngecjeje, po rigjallërohet konkretisht. Pritet së shpejti një marrëveshje e re.
Më në fund duket se do të ketë së shpejti lëvizje në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas të ngarkuarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak javën e ardhshme pritet edhe një marrëveshje me rëndësi në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve. Nga Bashkimi Evropian u bë e ditur se bëhet fjalë për marrëveshjen për energjinë për serbët në veri të Kosovës.
“Ne do të kemi një tjetër takim mes kryenegociatorëve javën e ardhshme. Me shpresë, ne do të mund të njoftojmë rreth një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, dhe unë gjithashtu po shpresoj t’i bëj të dy liderët bashkë në Bruksel, për takimin e tretë të nivelit të lartë përpara pushimeve të verës”, tha Lajҫak.
Finalizim i ҫështjeve të energjisë
Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano, pret që javën e ardhshme delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të finalizojnë temën e energjisë. “BE-ja pret që palët të mbyllin çështjen e energjisë gjatë javës së ardhshme në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve”, tha Stano. Përfaqësues të Bashkimit Evropian, kanë qenë të pranishëm në një takim të mbajtur javën e kaluar në Stamboll të Turqisë, ndërmjet palës serbe dhe Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). KEDS nga viti 2013 kryen shpërndarjen e energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës.
Vuçiq: Marrëveshja drejt përfundimit
Edhe autoritetet e Beogradit dhe ato të Prishtinës në fillim të javës paralajmëruan se janë afër marrëveshjes për zgjidhjen e problematikave të energjisë elektrike për serbët në veri të Kosovës, të cilët që nga paslufta nuk paguajnë faturat e rrymës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se marrëveshja për energjinë me Kosovën është drejt përfundimit dhe për këtë çështje ai tha se “ka pasur negociata me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS). “Kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in, për prezencën në veri të Kosovës. Për këtë jemi dakorduar dhe shpresojmë se ka mbetur vetëm ana teknike që të rregullohet dhe do të kemi rezultate të mira në ditët në vijim”, tha Vuçiq. Edhe qeveria e Kosovës nga ana e saj, e konfirmoi se palët janë shumë pranë zgjidhjes së çështjes së furnizimit dhe inkasimit të energjisë elektrike në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveҫan dhe Zubin Potok.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, tha se kjo çështje do të rregullohet “duke respektuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prill të vitit 2013”. “Në emër të Kosovës, negocion vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës. Takimi mes KEDS-it dhe palës serbe, i organizuar nё Stamboll më 9 qershor, ka pasur vetëm objektivin e ofrimit të garancive për katër shërbimet e dakorduara në vitin 2015: vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matësve, faturimi dhe inkasimi, dhe këtë obligim e ka përmbushur”, shkroi Bislimi në profilin e tij social.
Serbët e veriut të Kosovës nuk kanë paguar për energjinë
Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për energjinë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës në veri të Kosovës. Që nga atëherë kjo marrëveshje nuk është zbatuar ndonëse vazhdimisht është bërë presion nga bashkësia ndërkombëtare. Serbët e veriut të Kosovës që nga përfundimi i luftës furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë. Asnjëherë nuk është bërë e qartë se nga kush furnizohen me energji elektrike serbët në veri. KOSTT që është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë, thotë se furnizimi në veri bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, ndërsa, autoritetet e Beogradit thonë se energjia elektrike në veri të Kosovës sigurohet nga elektro-rrjeti i Serbisë.
Me marrëveshjen në parim të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë elektrike në veri të Kosovës, parashihet që përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e energjisë elektrike që mban emrin “Drustvo Elektrosever D.O.O.”. Që nga përfundimi i luftës nga viti 1999 e deri në vitin 2017, rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës e kanë paguar qytetarët e tjerë të Kosovës të regjistruar nga faturat e tyre si humbje e energjisë në rrjetin në veri. Nga viti 2017, pasi një gjykatë në Kosovë e ndërpreu këtë praktikë rrymën për serbët e veriut e paguan Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT). Sipas tyre humbjet nga mospagesa e rrymës në veri vetëm në vitin 2021 janë rreth 40 milionë euro. /DW/