17.9 C
New York
Sunday, September 14, 2025

Buy now

Dialogu Kosovë–Serbi mes urgjencës evropiane dhe legjitimitetit të kontestuar të qeverisë në Prishtinë

- Advertisement -

Pas rundit të fundit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, më 11 shtator, në Kosovë ka pasur kundërshtime, veçanërisht për faktin se qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet për t’u angazhuar në bisedime me Serbinë.

Në kohën kur Bashkimi Evropian është duke bërë përpjekje për të shtyrë përpara rifillimin e negociatave të normalizimit me Serbinë, çështja e legjitimitetit politik të qeverisë në detyrë për të përfaqësuar Kosovën ka ngritur pikëpyetje në mesin e vëzhguesve, veçanërisht rreth arsyeve që qëndrojnë prapa urgjencës së BE-së.

Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme, vëren se ekziston njëfarë “tensioni” brenda BE-së, duke qenë se zyrtarët e saj vazhdimisht bëjnë thirrje për formim urgjent të institucioneve të reja në Kosovë, në mënyrë që procesi të vazhdojë, ndërsa angazhohen në dialog me një qeveri në detyrë, që nuk gëzon mandat të plotë për të negociuar për çështje që janë të një natyre që shkon përtej mandatit teknik të një qeverie në detyrë.

“Unë besoj se çështjet që trajtohen në dialog prekin sovranitetin e Kosovës dhe – potencialisht – integritetin e saj territorial. Këto nuk janë çështje të vogla, nuk janë çështje që mund të diskutohen dh vendosen nga një qeveri në detyrë”, thotë Vogel.

Vogel kujton se dialogu është bllokuar për një kohë të gjatë, andaj sipas tij, mungon çdo lloj urgjence reale për të shtyrë përpara procesin në këtë moment specifik. Ai e cilëson të gabuar kursin aktual të BE-së, duke marrë parasysh edhe situatën në Serbi.

“BE-ja ka emëruar një Përfaqësues të Posaçëm për dialogun, i cili është i etur ta rifillojë procesin, por realiteti është se asnjëra palë nuk është në pozicion për të negociuar. Kjo është një formë presioni që buron ekskluzivisht nga BE-ja. Ata duhet të qetësohen. Ky proces ka ngecur për vite, kështu që çfarë urgjence ka tani?”, argumenton Vogel.

Në këtë kontekst, ai e bën të qartë se gjykimi për legjitimitetin politik nuk është në dorën e analistëve apo të BE-së, por është një çështje që i takon institucioneve të Kosovës, veçanërisht Kuvendit të Kosovës, i cili akoma nuk e ka filluar punën.

“Qeveria në detyrë e Kosovës nuk duhet  të diskutojë për asgjë që përbën një devijim nga ajo që është arritur deri tani – asgjë shtesë apo asgjë të re. Për këtë, duhet të ketë një qeveri me legjitimitet demokratik të pakontestueshëm”, përfundon Vogel.

Lidhja Demokratike e Kosovës, gjithashtu, ka kontestuar legjitimitetin e shefit aktual të delegacionit kosovar, Besnik Bislimi, për t’u angazhuar në bisedime me Serbinë, pas takimit që  zhvilloi më 11 shtator me homologun serb, Petar Petkoviç, nën kujdesin e BE-së, duke konsideruar se kjo dëmton kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli. Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë, të fuqishëm dhe mbi të gjitha legjitim”.

Ndryshe, disa diplomatë të BE-së është raportuar se kanë shprehur skepticizëm se do të ketë ndonjë progres të dukshëm në këtë fazë, kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit të dyja palëve. Edhe takimi i fundit ka shërbyer për ripërsëritjen e pozicioneve dhe shkëmbimin e akuzave, sesa për avancimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Të ngjashme

Të fundit