Ishte seanca e 10 tetorit 2024.
Në Kuvend të Kosovës po diskutohej për bisedën e Mimoza Kusari-Lilës e Milan Radoiçiqit që u publikua në media.
Zgjedhjet parlamentare ishin afër, pasi edhe datat veç ishte caktuar.
Në foltoren e Kuvendit, teksa doli për t’u mbrojtur, Mimoza Kusari-Lila paralajmëronte se do të publikohen fotografi e incizime të opozitës me Radoiçiqin. Madje, përmendte edhe dhurata për fëmijët e kryeterroristit serb.
“Kjo çka ka dalë dje, është fabrikim i plotë. Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radoiçiqit. Imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës. Imagjinoni kur dalin kush e ka vizitu e kush ka pas biznese. Juve po ju them votimi në lexim të parë i Ligjit për Pagën Minimale ka ndodhë në maj të vitit 2022. Ju keni dalë jashtë, Lista Serbe ka hy brenda. Pyetja e vetme që ju kam bë Listës Serbe është pse jeni këtu”, ka thënë ajo.
“Abelard, në asnjë formë nuk po mundeni ta pasqyroni dhe atribuoni bashkëpunimin që keni pasur ju me Listën Serbe e me i barazu, prandaj po doni me bë shpifje dhe falsifikime. Aq shumë po ju mungojnë se nuk janë këtu prezent që 28 muaj me Qeverinë Kurti e me këtë pozitë Lista Serbe nuk është në Kuvend. Ju në pamundësi për me i pasë ata me ju ndihmu, duheni të fabrikoni. Slavko Simiq prej qershorit të vitit 2022 nuk është ulur në këto ulëse. Radoiçiqi me Qeverinë Kurti është i përndjekur prej Interpolit dhe Kosovës e natyrisht nuk ka shanse të kthehet në Kosovë, asnjëherë, vetëm duarlidhur. Kur po flisni për këto bashkëpunime ju kujtoj Time Kadrijaj se në Qeverinë ku ke qenë ti, keni qëndruar në Kuvend shtatë orë për ta pritur Listën Serbe për me ardh prej Beogradit me t’i jep votat që Haradinaj të bëhet kryeministër”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Por, as Kusari-Lila, as Vetëvendosje, dhe askush tjetër, nuk publikoi asnjë dëshmi të ndonjë takimi apo dhurate për Radoiçiqin. Doli se kjo ishte përdorur veç si shantazh në prag të zgjedhjeve.
E kur zgjedhjet lokale po afrohen, tash me deklarata pak a shumë të njëjta opozitën e sulmoi edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Edhe ajo aludoi në informacione që ka Lista Serbe për opozitën, por nuk ofroi asnjë fakt.
“Kam përshtypjen se individë brenda opozitës, ose janë të shantazhuar, ose… nuk mund të arsyetohet ndryshe qëndrimi i heshtur në raport me Listën Serbe. Lista Serbe ka informacione për individë brenda partive opozitare, por nuk i nxjerr për sa kohë që këta iu shërbejnë atyre… prandaj këta nuk guxojnë të flasin”, ka thënë Haxhiu dje në Kanal10.
Deklaratës së Haxhiut i reagoi ashpër sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
“Albulenë, Lista Serbe nuk ka si të na shantazhojë, sepse ne nuk kemi bërë kurrë marrëveshje të fshehta e të ndyra me ta, as kundër veteranëve, as pazare të dështuara për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Qëndrimi ynë është parimor, në mbrojtje të rendit kushtetues, të cilin ju e sfidoni pa fund. Ju mund të provoni ta relativizoni të vërtetën, por nuk mund ta fshini. Jeni ju që keni lidhur paktet e turpit dhe keni rrënuar besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Në mungesë të shumicës për të ndërtuar qeverinë, po bëni taktizime fëminore”, ka shkruar Çitaku. /Nacionale/