Viktimë e torturës së Ivica Rajkoviq e Dragan Deniq ishte një grua që u dhunua në shtëpinë e saj, para syve të bashkëshortit.
Rruga e kësaj viktime deri në Gjykatë, ku shpalosi përjetimet e rënda në luftë, ishte e vështirë.
Ajo u mbështet nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
“Ky rasti i fundit ka qenë i mbyllur në shtëpi, ka qenë një rast mjaft i rëndë në aspektin psikologjik e shëndetësor, dhe jemi detyruar që shërbimet e tona me ia ofru direkt në familje, për faktin se ajo e ka pasë të pamundur me ardhë në organizatë. Më pastaj, kur ajo është fuqizuar, ka fillu me ardhë këtu e ka hyrë në procese njohjes ligjore dhe një reparacioni që e merr tash nga shteti. Më pas kur edhe kjo është arritur, e kemi parë që kjo grua ka resurse të brendshme dhe ka fuqi për m’e vazhdu rrugëtimin e saj, dhe fakti që kërkonte me pasë drejtësi, ne e kemi përgatit si rast, e kemi punu ngushtë me Policinë për krime lufte e me Prokurorinë Speciale”, ka thënë Feride Rushtiti udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Feride Rushiti, shpjegon rëndësinë e vendimit gjyqësor për këto krime të luftës në jetën e të mbijetuarve.
“Drejtësia nuk është vetëm proces i vendosjes së një vendimi dhe vendosjes së dhunuesit prapa grilave. Është një proces që ndikon në shërimin e drejtpërdrejt, fuqizimin e të mbijetuarve, është njohje, është validim i përvojës traumatike, e mbi të gjitha është spostim i turpit e marres, fajësisë, prej viktimës tek personi i cili akuzohet dhe e merr vendimin si person i cili duhet t’i vuajë pasojat e krimeve të bëra gjatë luftës”, shprehet ajo.
Ky nuk është rasti i vetëm që QKRMT ka ndihmuar në procesin e kërkimit dhe vendosjes së drejtësisë për dhunimet seksuale gjatë luftës.
“Janë rreth 13 aktakuza të ngritura, ku diku 95% janë raste që i ka përgatitur Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Ndërsa, në proces të dëshmisë janë mbi 50 raste, por natyrisht ato raste janë duke u grumbulluar të dhëna, fakte e argumente që të krijohen aktakuza”, thotë Rushiti.
Në mesin e tyre, është edhe një rast ku viktimë e dhunimit seksual, është një burrë.
“Është edhe një burrë, të cilit iu ka ngrit aktakuza. Ai aktualisht nuk është në Kosovë. Shpresojmë shumë që edhe rasti i tij ka me arrit me dalë para gjyqësorit. Por, ka edhe burra të tjerë të cilët janë të interesuar”, shprehet Rushiti.
Dënimin maksimal, prej 15 vitesh, para pak javësh e mori edhe Zhivojin Nesiq, i cili akuzohej për dhunim seksual të një gruaje gjatë luftës.