Protesta e paralajmëruar për sot kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike ka marrë mbështetje edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.
Drejtori i kësaj dhome, Kushtrim Ahmeti, ka bërë të ditur se institucioni që ai përfaqëson do të jetë i pranishëm në protestë, ndonëse nuk është organizator, si dhe tha që u ka bërë thirrje bizneseve anëtare që t’i bashkohen protestës.
Ai, në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova, tha se Dhoma e Tregtisë e ka mbështetur edhe protestën e kaluar dhe do ta mbështesë edhe këtë të radhës.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e ka mbështetur edhe protestën e kaluar dhe e mbështet edhe këtë protestë. Do të marrim pjesë, pavarësisht se nuk jemi organizatorë. Njëkohësisht u kemi bërë thirrje edhe bizneseve tona anëtare që, kush ka mundësi, t’i bashkohen kësaj proteste, sepse përveç qytetarëve, edhe bizneset do të pësojnë nga rritja e energjisë, nga e cila, fatkeqësisht, nuk besoj se do të mund t’i shpëtojmë as kësaj radhe”, tha Ahmeti






