Ishte viti 1999, kur serbët ua dogjën e shkatërruan shtëpitë. Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës kishin mbetur nën qiell të hapur.
Përgjatë viteve, qeveritë e Kosovës kanë rindërtuar disa shtëpi. Gjithashtu, me vendim të Qeverisë aktuale, dhjetëra shtëpi të djegura do të rindërtohen në këtë pjesë të vendit.
Dhjetëra shtëpi do të rindërtohen në veri të vendit. Pronarët e këtyre shtëpive nuk kanë dashur të flasin para kamerës por ata i kanë thënë RTK-së se e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë dhe janë shprehur shumë të gëzuar që pas më shumë se 20 viteve do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre”
Hapësirat po pastrohen dhe terreni po përgatitet që të vendosen themelet e reja të disa shtëpive, e disa të tjera do të rinovohen.
Punimet nga afër sot i ka përcjellë edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ata vizituan rindërtimin e disa shtëpive në fshatin Cerajë të Leposaviqit. Ministri Krasniqi njoftoi se projekti për ndërtimin e shtëpive është një nga projektet qeveritare duke pasur parasysh edhe shtëpitë të cilat do të ndërtohen në lagjen Kroi i Vitakut.
Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët të cilët do të përfitojnë nga ky vendim, pasi të kthehen këtu për të banuar, nuk kanë të drejtë shitje të pronës në periudhën kohore prej dhjetë vitesh.