Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Berat Lahu, i njohur edhe si dhëndri i ministrit Liburn Aliu është liruar sot nga paraburgimi, ndonëse para gati dy muajsh u arrestua në kuadër të aksionit “Brezovica” të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për veprat penale “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe “Ushtrimi i ndikimit”. Periskopi ka mësuar se një nga arsyet e lirimit është trajtimi i tij për infertilitet, gjë që na e ka konfirmuar edhe avokati….
Ekziston një aspekt shëndetësor i paraqitur si arsyetim për lirimin e zotëri Lahut. Bëhet fjalë për trajtimin e tij dhe të gruas së tij për infertilitet, pasi tash e një kohë po synojnë të ketë një fëmijë
Këtë detaj e ka konfirmuar për Periskopin avokati i Lahut, Valdrin Behrami.
‘’E para për ndërprerje të procedurës së hetimit ndaj tij, e dyta është liru për arsye shëndetësore të tij dhe gruas së tij dhe e treta, shumë të bashkëpandehur të tjerë me status të njëjtë të Beratit, janë liruar tash e disa kohë.’’, ka thënë avokati fillimisht.
Periskopi tutje e ka pyetur Behramin se për çfarë arsye shëndetësore bëhet fjalë, dhe përgjigja e tij ishte:
‘’Nuk e di sa mundem me ta tregu, se më tepër është shumë personale. Këta nuk kanë fëmijë që 22 vite edhe e kanë mundësinë e fundit për trajtim.. Nuk e di bash saktë, edhe provat krejt janë deponu në prokurori, gjykatë që e kanë pasë tretmanin e caktuar shumë më herët dhe datën kur ka pasë me kry këtë intervenim që në të ardhmen me bë fëmijë.’’, ka thënë Behrami për Periskopin.
‘’Ka përfundu procedura hetimore ndaj tij, me të bashkëpandehurit e tjerë, që e kanë pasë statusin e njëjtë. Ata prej fillimit janë liru ose gjatë procesit. ‘’,shtoi tutje ai.
Se a ka bazë lirimi nga paraburgimi për një rast të tillë trajtimi, Periskopi ka kontaktuar edhe avokaten Fehmie Gashi Bytyqi, e cila thotë se nuk i ka rastistur të ketë dëgjuar.
‘’Jo, jo. Unë nuk paskam dëgju me u liru dikush për një arsye të tillë, e as s’kam këso përvoje në punën time’’, është përgjigja e Gashi Bytyqit.
Berat Lahu, dhëndri i ministrit Liburn Aliu dhe asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, u arrestua më 21 shtator, lidhur me rastin e madh të keqpërdorimeve i njohur si “Brezovica”.
Ndaj Lahut i cili, ndalua për 48 orë Prokuroria Themelore e Ferizajt, ka bërë kërkesë për masën e paraburgimit pasi ai dyshohet për për dy vepra penale, “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Lahu që mbante pozitën e drejtorit të KEDS-it për distriktin e Ferizajt, sipas prokurorisë ka përfituar pronë e ka kërkuar ryshfet në këmbim të lidhjes së rrjetit të energjisë për vilat që po ndërtoheshin në zonën e mbrojtur me ligj në Brezovicë
Lidhur me veprën e parë “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave”, sipas kërkesës së prokurorisë, Lahu dyshohet se ka pranuar një dhuratë një pronë [tokë] në vlerën e 20 mijë eurove.
Lahu, sipas prokurorisë e ka pranuar tokën me sipërfaqe rreth 350 metra katror, si dhuratë në vitin 2018.
“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2018, në Shtërpcë, si punëtor i ndërmarrjes “KEDS” në Prishtinë, gjatë kryerjes së veprimtarisë ekonomike, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë nga shfrytëzuesit e këtyre shërbimeve në atë mënyrë që për të kryer shërbimin e zhvendosjes së tensionit të mjetit elektrik në vikend-zonën e Brezovicës”.
“Nga NN, si ndërmarrje ndërtimore e objekteve hoteliere dhe vikend-shtëpive, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë një pronë të paluajtshme – sipërfaqe rreth 350m2, në vlerë rreth 20,000€ euro, të cilën pronë e ka regjistruar në emër të djalit të vëllait”, shkruan në kërkesën e Prokurorisë për përaburgimin e Lahut