Shkruan: Lulzim Nika
Shtatori është dhembja dhe krenaria jonë.
I emocionuar, i pata takuar miqtë e çmuar Ymer Deliun dhe Afrim Hysenaj, dy dëshmitarët e masakrës së familjes Deliu
Masakra e familjes Deliu është dhimbje që vetëm njeriu mund ta bartë. Isha shumë i emocionuar teksa dëgjoja rrëfimet e Kryefamiljarit të familjes Deliu, Ymer Deliut, i cili kishte përjetuar dhembjen e rënies së familjarëve: fëmijëve, grave, vëllezërve, nënës dhe shumë të afërmve të vet, pra, përkundër dhembjes së madhe, Ymeri luftonte dhe besonte në lirinë e Kosovës.
Dhe me vendosmëri priti fotoreporterët dhe gazetarët, që të plasonin të vërtetën e krimeve të kriminelëve serbë.
Falë tij, këto foto kishin mbërritur edhe në Zyrën Ovale të presidentit Klinton, që kishin trishtuar kabinetin dhe stafin e tij, por edhe të diplomacisë ndërkombëtare, foto dhe pamje që dokumentojnë gjenocidin që iu bë shqiptarëve nga shteti serb.
Ymeri dhe Afrimi, ishin pajtuar qe ai gjak I paster, mos te varrosej, pa e pare e gjithe bota. Ata kishin rene ne kontakt me Keshillin e KMDLNJ-se, permes perfaqesuesit te tyre ne Drenice, z. Murat Musliu, dhe KMDLNJ kishte njoftuar Vezhguesit Diplomatik. Brenda pak oreve, ta asaj dite, kishin mbrritur ne vendngjarje Vezhgues Diplomatik amerikan dhe anglez, se bashku me ta ishte edhe Fred Abrahams. Ata me aparatet e tyre, kishin inqizuar dhe fotografuar gjenocidin qe kishte ndodh mbi Familjen Deliu. Ata ishin te paret qe e lansuan ne mbare globin boteror, krimin serb ne Abri
Rrëfimet e kohës ishin të jashtëzakonshme dhe shumë prekëse.
Takova edhe dy familjarët që i kishin mbijetuar masakrës, Besnikun dhe Albertin, njëri 5 e tjetri vetëm dy vjeçar atëherë.
Sot bëhen 24 vite nga masakra e Abrisë pa u dënuar asnjë kriminel serb.
Masakra e forcave serbe ndaj familjes Deliu të Abrisë, sidomos pamja e fëmijëve e kishte shokuar administratën e presidentit Klinton.
Falë vëzhguesve ndërkombëtarë amerikanë dhe anglezë që vizituan dhe fotografuan në vendngjarje të gjithë pjesëtarët e familjes Deliu të masakruar nga forcat serbe.
Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve, ishte një përpjekje për mbijetesë në trojet tona etnike, dhe që u bë shënjestër e përhershme e politikës hegjemoniste serbe.
Programi i parë kombëtar serb, në të cilin përpunohej ideja e Serbisë së Madhe, është e ashtuquajtura “Naçertanija” e Ilija Garshaninit, prej vitit 1843 e deri në vitin 1852, i cili ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryetar i Qeverisë Serbe.
Këto ambicie kishin filluar të sëndërtoheshin me masakra dhe dëbime të shqiptarëve prej trojeve shekullore nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla e Leskovci, në vitet 1876 -1878.
Fatkeqësisht, kjo u përsërit edhe gjatë vitit 1998-99, ku shteti serb kundër shqiptarëve të Kosovës përdori metodat më mizore, më barbare dhe mesjetare për zhdukjen e tyre nga Kosova.
Masakrat çnjerëzore që po ndodhnin në Kosovë morën përmasa tragjike në tërë botën e civilizuar, saqë tmerruan opinioni publik vendës dhe të huaj, si dhe vunë në lëvizje qendrat e vendosjes ndërkombëtare.
Krimet dhe masakrat serbe që u bënë në Abri, Reçak, Poklek,Verboc, Izbicë, dhe gjithëandej në Kosovë, tronditën dhe tmerruan qarqet diplomatike ndërkombëtare.
Tragjeditë dhe mizoritë e luftës së Kosovës, nga faktori ndërkombëtar nuk u injoruan. Ata vepruan duke i dënuar me deklarata dhe veprime ushtarake kundër makinerisë ushtarake vrastare serbe.
Mirëpo, edhe sot e kësaj dite mungon një Gjykatë Ndërkombëtare për të gjykuar platformën politike të shtetit serb, që synonte shfarosjen e një populli të tërë.
Masakra e Abrisë dhe Reçakut e “vrau” ndërgjegjen e diplomacive të fjetura botërore, dhe masat ushtarake kundër makinerisë serbe nga aleanca e NATO-s, e sollën paqën në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar.
Me mijëra të vrarë e të masakruar në shtëpi të tyre, shumë femijë, gra, dhe pleq, pra në gjithë Kosovën.
E sot, pas 24 viteve të përfundimit të Luftës së Kosovës, t’i kërkojnë shqiptarët për t’u denuar, është vërtetë një padrejtësi historike e këtij shekulli.