Gjatë gati një dekade e kemi parë krah ministrave të partive të ndryshme, si dhe në debate e diskutime për projektligje dhe fushën e drejtësisë, është ky Ardian Bajraktari, ish zyrtar shumë vjeçar në Ministrinë e Drejtësisë i cili dha betimin për avokat.
Atë e kemi parë shpesh teksa fliste dhe jepte qëndrime në emër të institucionit të cilit i përkiste, në veçanti për ligje, çështje të ndjeshme nga lëmi i drejtësisë, apo për procese siç është rasti me Gjykatën speciale.
I kontaktuar për arsyen e largimit të tij nga Ministria e Drejtësisë, z. Bajraktari ka dhënë edhe qëndrimet e tij rreth aspekteve të ndryshme nga kjo lëmë.
“Po, kam dhënë dorëheqje nga Ministria e Drejtësisë, nga pozita e Drejtorit të Departamentit Ligjor, më 15 janar 2023. Tashmë jam avokat, pas një pune për më shumë se një dekadë në pozita të ndryshme në Ministri, duke filluar nga zyrtar i lartë ligjor, drejtor Departamenti, e deri tek pozita e Sekretarit të Përgjithshëm. Kam vlerësuar se është koha të marrë rrugë të re, duke qenë thellësisht i bindur se sado që kam dhënë kontribut, kam përfituar shumë në aspektin profesional. Ka qenë nder dhe privilegj të isha pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Me vite kam udhëheq një departament shumë të rëndësishëm jo vetëm të Ministrisë së Drejtësisë por edhe të sektorit të drejtësisë në përgjithësi, ngase Departamenti Ligjor është përgjegjës për hartimin e politikave edhe të legjislacionit të fushës së Drejtësisë në nivel nacional”, thekson z. Bajraktari.
Më tej, z. Ardian Bajraktari potencon se puna si avokat, është nder dhe privilegj, sepse tërë dijen dhe ekspertizën e vë në shërbim të të tjerëve, dhe përmes saj kontribuon në arritjen e të vërtetës.
“Të jesh avokat është mision dhe mbi këtë premisë, filloj punën me ambicie të mëdha, ashtu siç e kisha mision ndërtimin e bazës ligjore të Republikës tonë”, cek z. Bajraktari dhe shton se sfidat janë komponenta përbërëse e punëve të mëdha e të mira në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë.