Devolli Corporation, një nga korporatat më të mëdha dhe më të suksesshme në Kosovë, ka fituar edhe këtë vit çmimin prestigjioz si një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend.
Kjo arritje vjen në kuadër të ceremonisë së përvjetshme të ndarjes së çmimeve “The Best of Kosova 2025”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).
Ceremonia madhështore u mbajt sonte në Prishtinë, ku u vlerësuan kompanitë më të spikatura që kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Eventi “The Best of Kosova” është bërë tashmë një traditë e rëndësishme, që synon të nxjerrë në pah sukseset e bizneseve vendore, duke inkurajuar konkurrencën e shëndetshme dhe ekselencën në sektorë të ndryshëm si prodhimi, eksporti, punësimi dhe kontributi tatimor.
Devolli Corporation, me seli në Pejë dhe themeluar nga sipërmarrësi Ibrahim Devolli, vazhdon të mbajë pozicionin lider në tregun kosovar dhe më gjerë. Korporata operon në disa fusha kryesore, duke përfshirë prodhimin e kafesë me brendin e njohur Prince Caffe, prodhimin e miellit (Finnesa dhe M&Sillosi), dyshekëve dhe produkteve për shtëpi (Comodita Home), si dhe shërbime të tjera si distribuimi dhe telekomunikacioni. Produktet e saj eksportohen në disa kontinente, duke kontribuar ndjeshëm në bilancin tregtar të Kosovës.
Ky çmim nuk është i pari për Devolli Corporation. Kompania ka një histori të gjatë suksesesh, duke u vlerësuar vazhdimisht nga OEK dhe institucione të tjera për kontributin si eksportues, punëdhënës dhe tatimpagues i vitit. Me rreth 5 mijë të punësuar dhe një qarkullim vjetor që arrin shifra rreth gjysmë miliardë euro, Devolli Corporation jo vetëm që krijon vende pune dhe mbështet familje të shumta, por edhe promovon imazhin e Kosovës në tregjet ndërkombëtare.







