E enjtja u karakterizua me përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës, raporton Paparaci.
Gjithçka nisi kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e goditi atë me ujë, për çka iu kundërpërgjigjen ministri i Financave, Hekuran Murati dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Këtu agravoi situata në grushte e tensione, që bëri kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ta thërret Policinë e Kosovës, për ndërhyrje.
Gjatë pamejve të publikuara në rrjete sociale, fillimisht shihet se si deputeti i LVV-së, Armend Muja, shkon te kryeministri Kurti për ta mbrojtur.
E nga ana tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shihet duke tentuar që t’i ndalë personat e përfshirë në këtë përleshje fizike. Ajo po ashtu i drejtohet Lushtakut me fjalët “a je normal”.
Aktualisht, shumica e deputetëve të LVV-së dhe atyre opozitarë janë të pranishëm në Kuvendin e Kosovës, i cili për shkak të situatës, shkoi për 30 minuta në pauzë.
Kryeministri Kurti po qëndron i heshtur në Kuvend, i shoqëruar nga disa ministra dhe mbrojtja e afërt e tij.