Desire Doue nuk kishte aspak dyshime kur u pyet nëse ishte më i mirë se Lamine Yamal gjatë garës për Topin e Artë 2025.
Pas një sezoni spektakolar me Paris Saint-Germain, 20-vjeçari francez është ndër favoritët kryesorë për të fituar çmimin prestigjioz këtë vit. Ai shënoi dy gola në fitoren historike 5-0 të PSG-së kundër Interit në finalen e Ligës së Kampionëve dhe u shpall lojtari i ndeshjes.
Duke luajtur në krahun e djathtë të një treshe sulmuese përkrah Ousmane Dembele dhe Khvicha Kvaratskhelia, Doue kontribuoi në mënyrë vendimtare në një nga finalet më të njëanshme në historinë e garës.
Nga ana tjetër, Lamine Yamal – ylli 18-vjeçar i Spanjës dhe Barcelonës – shkëlqeu në fitoren e dyfishtë të skuadrës së tij në La Liga dhe Kupën e Mbretit. Megjithatë, Barça u eliminua në mënyrë dramatike në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Interit, duke i zbehur shanset e Yamal për Topin e Artë këtë vit
Në një moment të komentuar gjerësisht në rrjete sociale, një tifoz e pyeti Doue-n: “Kush është më i mirë, ti apo Lamine Yamal?” – dhe përgjigjja e tij ishte e prerë: “Patjetër unë.”
Rivaliteti në rritje mes dy talenteve është krahasuar tashmë me përballjen e famshme Messi–Ronaldo që dominoi dekadën e kaluar. Dhe ndërsa debati sapo ka nisur, fituesi i vërtetë për Topin e Artë 2025 duket të jetë dikush tjetër.
Ousmane Dembele, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me PSG-në, është favorit absolut për të fituar çmimin. 28-vjeçari e mbylli sezonin me 35 gola dhe 16 asistime, duke u shpall lojtari më i mirë si në Ligue 1 ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Ai gjithashtu shkëlqeu në Kupën e Botës për Klube, ku shënoi ndaj Bayern Munichut dhe Real Madridit, përpara se PSG të mposhtej në finale nga Chelsea me rezultat 3-0.
Duke pasur parasysh historinë e tij me lëndimet, kjo mund të jetë mundësia e fundit reale për Dembele që të fitojë Topin e Artë.
Ceremonia do të zhvillohet më 22 shtator në Paris, një muaj më herët se vitin e kaluar.
Sa për Doue dhe Yamal – ndonëse ndoshta nuk do ta fitojnë këtë vit – të dy janë në rrugën e duhur për të qenë pretendentë seriozë në të ardhmen. Të rinj, të talentuar dhe me përfaqësuese të forta pas vetes, ata pritet të jenë rivalët e rinj të dekadës që vjen.
Gjithsesi, me yje si Cole Palmer, Erling Haaland dhe Kylian Mbappe që ende janë në kulmin e karrierës, gara për Topin e Artë mbetet më e hapur se kurrë.