Home Lajme Dështon zbatimi i udhërrëfyesit për energjinë

Dështon zbatimi i udhërrëfyesit për energjinë

0
Dështon zbatimi i udhërrëfyesit për energjinë

Janë bërë një vit që kur Kosova e Serbia janë dakorduar për udhërrëfyesin për energjinë i cili do të zbatohej brenda 100 ditësh, por i njëjti po vazhdon të mos gjejë zbatim.

Pika e vetme e zbatuar deri më tani nga ky udhërrëfyes është ajo për dhënien e licencës së operimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për kompaninë “Elektrosever”.

Mirëpo, pasi u pajisë me licencë “Elektrosever” nuk bëri veprime që do t’i hapte rrugë faturimit të energjisë në komunat veriore.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë shkurt për RTK-në se nuk ka pasur asnjë lëvizje deri më tani sa i përket zbatimit të udhërrëfyesit.

Por, sipas tij e vetmja risi në këtë proces, është kërkesa e kryetarëve të rinj të komunave veriore për kyçje të banorëve në sistem.

Ndërkaq, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thonë se institucionet janë duke punuar që marrëveshja për energjinë të gjejë zbatim.

“Ekipet tona negociatore kanë qenë të interesuara që sa më parë kjo çështje të merr zgjidhjen e duhur, për arsye se janë këta qytetarë të Kosovës, të cilët që nga paslufta nuk e kanë paguar energjinë e shpenzuar. Kjo mospagesë e energjisë duhet të përfundojë”, ka thënë për RTK-në, Driton Hyseni, deputet i LVV-së.

E deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se nëse vazhdohet me moszbatimin e marrëveshjeve, dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të ndërpritet.

“Deri më sot nuk kemi parë fare interes as nga ‘Elektroseveri’, që është i licencuar nga ZRRE-ja por as nga qytetarët që të jenë të ndërgjegjshëm që të implementohet në përpikëri kjo marrëveshje. Nëse vazhdohet kështu edhe me marrëveshjet e tjera, atëherë mendoj se dialogu duhet të ndërpritet”, ka thënë Lekaj.

Deri në vitin 2017 energjia e shpenzuar në komunat veriore u është faturuar qytetarëve të Kosovës, ndërsa tani koston e mbulimit të kësaj pjese po e bëjnë institucionet e Kosovës.

 

Exit mobile version