4.6 C
New York
Saturday, December 28, 2024

Buy now

Dështon votimi i buxhetit të Prishtinës, shkak mungesa e kuorumit

- Advertisement -

Pas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka lëshuar sallën në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës në të cilin parashihej të votohej buxheti për vitin 2025.

Seanca përfundoi për shkak të mungesës së kuorumit dhe rrjedhimisht dështoi votimi i buxhetit.

Në këtë seancë ka munguar kryetari Përparim Rama.

Nënkryetari Alban Zogaj ka thënë se ka përgatitur një ekspoze për buxhetin e vitit 2025, por edhe kryetari Rama sipas tij ka publikuar një ekspoze të tillë javë më parë buxhetin.

“Jemi mbledhur për të diskutuar një çështje thelbësore për të ardhmen e qytetit tonë, miratimin e buxhetit të Prishtinës për vitin 2025. Ky buxhet nuk është vetëm dokument i thjesht teknik. Por ky buxhet është një prej dokumenteve më të rëndësishme dhe është reflektim i misionit tonë për një Prishtinë të zhvilluar, të pastër dhe për shërbime më të mira diçka që se kemi parë asnjëherë më parë”, tha Zogaj.

Ndërsa, asamblisti i LVV-së Gëzim Sveçla ka thënë se buxheti është vendimi më i rëndësishëm i Kuvendit komunal, të cilin në kushte normale, sipas tij do duhej ta miratohej që në muajin shtator, pas procedurave të cilat janë të parapara me ligj.

“Sikur këto procedura të ndodhnin. Mirëpo, ndodhemi ku ndodhemi në fund të muajit nëntor dhe akoma nuk është i votuar buxheti për vitin e ardhshme. E dëgjova me shumë vëmendje nënkryetarin dhe mund të them që fjalët e tij tingëllojnë shumë bukur, mirëpo realiteti praktik është krejt tjetër. Nënkryetari në mungesë të kryetarit i cili nuk po dihet se ku është na fton për mbështetje dhe përkrahje edhe subjektet tjera për shkak se nuk e ka shumicën. Për çfarë mbështetje kryetar? Mbështetje për të filluar ndërtime në zona të mbrojtura pa leje, mbështetje për të filluar punë gjatë fushatës në rrugë që kanë masë të sigurisë nga gjykata, mbështetje për kontrata milionëshe për bashkëpartiak. Cila është ftesa që na bëni”, tha ai.

Sveçla tha se komuna nuk ka bërë asgjë që të marrë mbështetjen e opozitës.

Leutrim Retkoceri nga PDK-ja ka thënë se buxhetin është duke e bllokuar një koalicion shumicë jofunksional që është prej LDK-së, AAK-së, e Nismës dhe udhëhiqet prej Përparim Ramës.

“Këta të parët e kanë bllokuar që sa herë që s’po kalon e ky kryetari e saboton mbledhjen, e  ka sabotuar seancën e kaluar dhe po e saboton dhe në këtë seancë. Ju duhet të na bindni neve se këto kode që i keni nda ti bëni publike projektet dhe me thirr të gjithë në publik me qytetarë dhe të tregoni se këto kërkesa që i keni marrë pse i keni ndarë dhe si i keni ndarë se janë paret e qytetarëve dhe jo të juajat”, tha Retkoceri. /EO/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit