Ka dështuar për herë të nëntë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, si pasojë e mosmarrëveshjeve rreth mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit.
Avni Dehari, kryesues i Kuvendit nga Vetëvendosje, propozoi që votimi për kryetar të bëhet me votë të fshehtë, si një mënyrë për të zhbllokuar procesin dhe për të shmangur presionin mbi deputetët.
Opozita, përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe, kundërshtuan fuqishëm këtë propozim, duke e konsideruar si një shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit. Ata paralajmëruan se nëse kjo procedurë ndiqet, do ta çojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Memli Krasniqi nga PDK deklaroi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në një votim që devijon nga rregullorja dhe akuzoi Vetëvendosjen për përpjekje që të fshehin mungesën e mbështetjes për kandidatin e tyre.
Hykmete Bajrami e LDK-së dhe të tjerë deputetë, po ashtu, i cilësuan veprimet si të njëanshme dhe jokushtetuese.
Time Kadrijaj nga AAK e quajti situatën “cirk” dhe tha se partia e saj ka ofruar alternativa, por nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi.