Rahoveci me një këmbë është në Ligën e Dytë të futbollit kosovar.
Për shkak të rezultateve jo të mira, kjo skuadër nuk mundi të mbijetojë, duke ngelur i parafundit me vetëm 17 pikë, dhjetë më pak se Istogu që ka shpëtuar.
Kryetrajneri i këtij ekipi, Liridon Leci, ka dhënë dorëhqje, pasi dështoi t’i marrë 3 pikë ndaj Rilindjes, rezultat me të cilin të paktën matematikisht do të ishte ende në garë.
Lajmin për ndarjen e rrugëve me timonjerin, e bëri të ditur vetë klubi i Anadrinisë, me anë të një komunikate në faqen zyrtare të tyre në facebook.
Në këtë shkrim, ndër të tjera bëhet e ditur edhe për një riorganizim.
“Në javët e mbetura te sezonit, Rahoveci do të zhvillojë edhe tri xhiro të fundit të kampionatit me staf të përkohshëm, ndërkohë që drejtuesit e klubit kanë paralajmëruar riorganizim të plotë për sezonin e ardhshëm, me synim rikthimin e shpejtë në Ligën e Parë”, shkruhet në kumtesën e rahovecasëve.
Ndryshe, gjatë gjithë edicionit 2024/25, Rahoveci arriti vetëm tri herë të fitojë, tetë ndeshje përfunduan me barazim, kurse u mposht plot 13 herë.