-2.9 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

Dëshmitari thotë se forcat serbe armatimin e kishin lënë tek shtëpia e Çedomir Aksiqit

- Advertisement -

Dëshmitari Bashkim Shashivari në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se forcat serbe nuk e ka lënë armatimin në stacionin policor të Shtimes për shkak të frikës nga NATO, por e kanë lënë tek shtëpia e tani të akuzuarit për krime lufte, Ҫedomir Aksiq.

Dëshmitari Shashivari ka thënë se i ka parë forcat serbe të udhëhequra nga tani i akuzuari Aksiq duke shkuar drejt shtëpisë së Ruzhdi Jasharit, i cili ka qenë gazetar raportues në kuadër të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, e të cilët ia kanë djegur katër shtëpitë.

Ai gjithashtu ka deklaruar se të akuzuarin Aksiq e ka njohur mirë, pasi që e ka pasur fqinj në lagje. Shashivari tha se të akuzuarin e ka parë edhe kur ishte sulmuar Reçaku.

Kurse, dëshmitari Isak Brahimi deklaroi se nuk e di nëse i akuzuari Aksiq ka qenë pjesë e grupit nga të cilët është vrarë babai i tij, dhe se të akuzuarin e njeh vetëm që ka qenë “shef i shumarit”.

Gjithashtu, Brahimi deklaroi se ka qenë ushtar në UҪK dhe se për vrasjen e babait të tij ka dëgjuar një ditë më vonë.

Në këtë seancë, është dëgjuar edhe dëshmia e dëshmitarit Blerim Hyseni, i cili ka deklaruar se pasluftës e ka parë tani të akuzuarin Ҫedomir Aksiq duke pritur në stacionin e trenit për t’u larguar për në Serbi.

Gjithashtu, Hyseni ka thënë se për vrasjen e kushëririt të tij- tani të ndjerit Halil Hyseni, e ka kuptuar pas përfundimit të luftës nga kushërinjtë tjerë.

Po ashtu, i njëjti ka deklaruar se afër stacionit të trenit ka qenë vendi ku ka ndenjur një grup i KFOR-it amerikan, të cilëve iu ka treguar për vrasjen e tani të ndjerit Hyseni.

“…ka qenë në formë bisede me pjestarët e KFOR-it , ata më thanë që i marrim shënimet dhe drejtësia do të vijë në vendin e vet dhe që tash nuk mundemi me ndalë Ҫedomirin me shku në Serbi”, ka thënë Hyseni.

I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, dëshmitari ka deklaruar se e ka parë nëpër gazeta dhe mjetet e informimit që i akuzuari ka qenë pjesë e forcave serbe.

Po ashtu, në këtë seancë ka deklaruar edhe dëshmitari Hajdin Hyseni, i cili po ashtu tha se ka qenë ushtar i Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, kur e kanë njoftuar se vëllanë e tij e kanë vrarë forcat serbe.

Hyseni tha se ka shkuar në vendin ku e kanë vrarë vëllanë e tij dhe se aty i ka gjetur edhe stupcat me të cilët e kishin rrahur.

Edhe ky dëshmitari, tha se të akuzuarin Aksiq e ka njohur vetëm si “shef të shumarit” në Petrovë dhe se nuk e ka parë më. Tha se gjatë viteve 2001- 2002 nuk ka njohuri nëse i akuzuari ka ndenjur në Ferizaj.

Dëshmitari Hyseni tha se ka dëgjuar që e ka shitur një pronë në Ferizaj, por që nuk ka pasur interes që ta dijë për shkak se nuk i duhet toka e pasuria e tij, se ai ia kishte vrarë vëllanë.

Ndryshe, më 20 nëntor 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte mbajtur seanca e gjykimit në mungesë edhe ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili po akuzohet për krime lufte. Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Çedomir Aksiq, i cili akuzohet për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Ai ngarkohet se prej periudhës janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal të uniformuar, kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integriteti trupor ose shëndetit dhe frikës ndaj popullatës civile.

Në aktakuzë, thuhet se në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave” vend midis fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, kishin urdhëruar dëbimin  e banorëve të lagjes, e më pas së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ua kanë djegur shtëpitë të dëmtuarve, duke shkaktuar dëm moral dhe material deri në 300 mijë euro.

Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Aksiq thuhet se tani të ndjerin Halil Hysenaj e kishe ekzekutuar me një pushkë 10-she, ku familja e të ndjerit paraprakisht ishin ndalur nga i akuzuari Aksiq, ku më pas të njëjtit kishin gjetur trupin e të ndjerit pa shenja jete. Kurse në fshatin Reçak, thuhet se Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.

Fillimisht, thuhet se Aksiq në bashkëkryerje me forcat tjera serbe, kishin gjuajtur në drejtim të Hajriz Brahimit, derisa ky i fundi ishte duke ikur nga shtëpia e tij në drejtim të malit, dhe pas Hajriz Muratit, Aksiq thuhet të ketë shtënë pastaj edhe në drejtim të Hakin Muratit, Sabri Muratit dhe Arif Muratit. Tutje, në prezencë të gruas (së viktimës), thuhet se Aksiq kishte vrarë dhe personin me emrin Ahmet Mustafa dhe derisa po largohej nga shtëpia e tani të ndjerit Mustafa, me forcat serbe thuhet të kenë shtënë edhe në drejtim të Sadik Mujotës, Hanumshahe Mujotës, Skender Halitit dhe Mehmet Mustafës.

Dëshmitarë të rastit janë renditur: Ruzhdi Jashari, Sadri Jashari, Bashkim Rizau, Shukrije Hysenaj, Agim Hysenaj, Hajdin Hysenaj, Blerim Hysenaj, Hyzer Hysenaj, Njazi Mujota, Tefik Halili dhe Avdullah Krasniqi.

Me këto veprime, Aksiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e dënueshme edhe sipas Konventës së Gjenevës si “Krim lufte” në shkelje të rëndë të nenit 3 të kësaj konvente dhe nenit 4. protokolit 2 të datës 8 qeshor 1977 dhe aktualisht e ndëshkueshme sipas nenit 146 dhe 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se procesi gjyqësor ndaj Aksiq zhvillohet në mungesë, pasi që Prokuroria dhe Gjykata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për sigurimin e prezencës së tij në gjykim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit