Pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar e cilësoi si person me dëmtime mendore dhe të pamundur ri-dërgimin e tij në gjykatore për të dëshmuar kundrejt Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, Mbrojtja ka zbuluar të dhëna tjera për dëshmitarin e famshëm misterioz, i njohur si dëshmitari “29”.
Siç u diskutua në Info Magazine të Klan Kosova, në kuadër të “Kronika e Hagës”, Avokatët e katërshes së UÇK-së i kërkuan Trupit Gjykues ta cilësojnë si jo-relevante dëshminë e 29-shit sepse thonë se ai e ka mashtruar jo vetëm Gjykatën Speciale por edhe EULEX-in, njofton Klan Kosova.
“Mashtrime”, “paqëndrueshmëri”, “spekulime” e “insinuata” janë fjalët me të cilat Mbrojtja i paraqet dëshmitë e tij që del se i ka dhënë në Maj 2013, Qershor 2018, Dhjetor 2020 e më vonë edhe në seancat përgatitore dhe në gjykatore në Tetor 2023, kur pati refuzuar ta vazhdonte dëshminë, edhe nëse burgosej.
Ky dëshmitar i pati thënë Prokurores Clare Lawson se nënshkrimi i prezantuar në seancën gjyqësore, nuk i përkiste atij.
“Lawson: A ju kujtohet të keni dhënë një deklaratë në vitin 2004?
Dëshmitari: Është e pavërtetë.
Lawson: Po thoni që nuk keni dhënë deklaratë në vitin 2004 dëshmitar? Nëse do të shihni versionin anglisht të këtij dokumenti, në të djathtën tuaj, a shihni emrin tuaj të shkruar në atë faqe?
Dëshmitari: Këto i paska shkarravit dikush këtë shkrim, nuk e di kush e ka bë, po kjo nuk është e vërtetë.” – ishte bashkëbisedimi i tyre më 10 tetor 2023.
Tash Mbrojtja pretendon se gjatë intervistimit, hetuesit e Hagës e kanë “zënë në rrenë” disa herë këtë burrë.
“ZPS padrejtësisht synon të përfshijë intervistat e ZPS-së në plotni, pa identifikuar se në cilat pjesë të tyre Prokuroria aktualisht i beson dhe mbështetet në to, edhe pse intervistuesi i ZPS-së qartazi nuk ka besuar se përgjigjet ishin të vërteta. ZPS mund të mos i administrojë provat për të cilat “e di apo dyshon se janë të falsifikuara” – thuhet në parashtresën e Mbrojtjes.
Poashtu flitet edhe për premtime nga ana e ZPS-së për këtë dëshmitar, në mënyrë që i njëjti të paraqitej për të dëshmuar kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit vetëm me shkrim.
“Përmes komunikimeve me ZPS-në, 04577 (pra dëshmitari 29 – sqarim i Klan Kosova) ka tentuar të negociojë avantazhe në favor të tij në mënyrë që të mos jepte dëshmi gojarisht. Në [e redaktuar], 04577 i tha ZPS-së se [e redaktuar], 04577 sugjeronte që [e redaktuar]. Në [e redaktuar], 04577 ka thënë se ZPS i ka premtuar [e redaktuar]; ZPS ka mohuar të ketë bërë një premtim të tillë”.
Këto premtime, sipas Mbrojtjes janë përmendur edhe në sesionet përgatitore më 6 tetor 2023, dhe për shkak se këso zotime janë përmendur disa herë, vlerësohet se kjo ndikon në kredibilitetin e përgjithshëm të këtij burri.
Duke qenë se ky dëshmitar nuk ka dëshmuar në sallën e gjyqit, Klan Kosova ka mësuar se i njëjti ka përmendur krerët e UÇK-së, së paku 3 nga të akuzuarit si të përfshirë në krime lufte, e pastaj ka deklaruar se nuk e ka njohur dhe as s’ka ditur çfarë pozita kanë pasur ndonjëri nga 4-shja e akuzuar gjatë luftës së fundit.