Në gjykatore u rikthyen pas 35 ditësh. Katër ish-krerët e UÇK-së qenë të pranishëm edhe fizikisht.
Në rastin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit të hënën doli të dëshmojë dëshmitari i 40-të i Prokurorisë, i cili për ta dhënë rrëfimin nuk udhëtoi deri në Hagë, raporton Klan Kosova.
Për shkak të problemeve serioze shëndetësore, të cilat Prokuroria i ka dëshmuar në muajt e parë të 2023-ës, dëshmitari u paraqit me video-lidhje.
Burri, i cili sipas dokumenteve del se ka ofruar mbi 400 faqe dëshmi në Prokurori, konfirmoi nënshkrimin e tij në disa sosh, e pastaj Prokurori i Specializuar Nathan Quick prezantoi shkurt natyrën e dëshmisë së W01493.
Dëshmitari i 40-të, sikur të hënën edhe gjatë ditëve tjera sa zgjat dëshmia e tij, do të flasë në detaje për të paktën dy nga të akuzuarit, Hashim Thaçi e Rexhep Selimi, si dhe angazhimin e Bislim Zyrapit dhe Lahi Brahimajt për vendosjen e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Dukagjin.
Sipas Prokurorisë, atëbotë dihej udhëheqësi i këtij mekanizmi e që ishte Hashim Thaçi.
W01493 do të ofrojë informacione për strukturën dhe organizimin e njësive të UÇK-së dhe FARK-ut edhe në Shqipëri, ku supozohet të jenë nxjerrë dokumente nga Azem Syla dhe Jakup Krasniqi. Dhe sipas Prokurorisë, ai flet për trajtimin e kundërshtarëve të ushtrisë.
Dëshmia afër 15-orëshe e këtij burri, që është dëshmitar rezervë për shkak të mosparaqitjes së serbit Dejan Jeftiq, është dhënë në seancë private gjatë gjithë kohës, edhe me kërkesë të mbrojtjes.