Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të dëshmojnë blloku i fundit i dëshmitarëve të Mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore.
Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën i NATO-s, Wesley Clarki ishte planifikuar të fillojë dëshminë të martën, më 18 nëntor. Mirëpo, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, është marrë vendim që Wesley Clark të fillojë dëshminë sot (e hënë), duke filluar nga ora 12:00.
Dëshmia e gjeneralit Clark pritet të zgjasë deri të mërkurën më 19 nëntor 2025, dhe do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit.
Pas saj do të mbahet edhe një konferencë për ecurinë e çështjes.
Seanca shtesë e planifikuar për 21 nëntor është anuluar.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë është dëgjuar ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij ishte thirrur ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John SteWart Duncan kishte filluar dëshminë më 22 shtator dhe e kishte mbaruar më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator e kishte nisur dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e ka përfunduar dëshminë më 2 tetor.
Pas tyre ka dëshmuar diplomati amerikan, Christopher Hill, i cili ka qenë përfaqësues i ShBA-së gjatë luftës në Kosovë dhe ish-këshilltari i Wesley Clark, Michael Durke. Që të gjithë këta dëshmitarë të cilët kanë bartur peshën kryesore gjatë luftës në Kosovë, kanë hedhur poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale sa përket hierarkisë dhe përgjegjësisë komanduese të katërshes së UÇK-së si pjesë e Shtabit të Përgjithshëm.






