Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ka grumbulluar 20 milionë dollarë në gjashtë javët e para pasi shpalli fushatën e tij të kandidimit për president, tha të enjten fushata e tij.
Kjo tregon një mbështetje të thellë për guvernatorin DeSantis, pavarësisht nga një fushatë që filloi me probleme në Twitter në maj. Megjithatë, sondazhet tregojnë se ai është në vend të dytë me një distancë të largët për nominimin republikan, pas ish-presidentit Donald Trump.
Fushata e zotit Trump tha të mërkurën se ai grumbulloi 35 milionë dollarë gjatë tremujorit të dytë të vitit, gati dyfishi i asaj që ai mblodhi gjatë tre muajve të parë të vitit. Grumbullimi i fondeve të ish presidentit Trumpit është rritur që kur ai u padit në Nju Jork dhe Florida. Ai përballet me hetime shtesë që mund të rrisin më tej aftësinë e tij për të grumbulluar fonde.
Zoti DeSantis ka patur një orar të ngjeshur fushate në shtetet e hershme ku do të zhvillohen zgjedhjet paraprake dhe më gjerë në mes të një rivaliteti të thelluar mes tij dhe zotit Trump.
Ai ngjalli polemika javën e kaluar me një video ku kritikonte zotin Trump për mbështetjen e tij në të kaluarën ndaj homoseksualëve dhe transgjinorëve, për të cilin një grup i shquar konservatorësh LGBT tha se “ishte homofobik”.
Never Back Down, një grup i ashtuquajtur super pac që mbështet zotin DeSantis, po mbledh veçmas para për kandidatin. Grupi nuk mund të punojë ligjërisht me zotin DeSantis, por po orkestron një pjesë të madhe të organizimit në terren që mund të jetë vendimtar për fitoren në shtetet e hershme.
Kandidatët e tjerë republikanë presidencialë nuk i kanë publikuar ende shifrat e tyre për grumbullimin e fondeve për periudhën nga 1 prilli deri më 30 qershor. Kandidatët kanë afat deri më 15 korrik për të dorëzuar dosjet e tyre në Komisionin Federal të Zgjedhjeve. /VOA/