Ka edhe tre ditë që kur do të festohet festa e Kurban Bajramit. E rituali fetar e kulturor që e përcakton këtë festë është therja e kurbanit.
Por edhe këtë vit, qytetarët në kryeqytet po ankohen se çmimet për blerjen e tyre janë të larta.
“Ka qenë i kurbaneve e i të gjithave gjëra shumë më lartë janë. Deri në 400/ 500 euro. Viteve të mëhershme 150/200 kjo tani është më shumë se gjysma e që është shumë”, ka thënë një qytetari Bahtri Veliu.
“Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Po ka çmime të ndryshme prej 130 e më lartë. Çmimet janë të shtrenjta shumë”, është shprehur edhe qytetari tjetër.
Se çmimet shkojnë deri në 500 euro e thonë edhe vetë tregtarët.
“Për blerjen e kurbaneve po ka të interesuar shumë. Çmimi i tyre po sillet prej 250 deri ne 500 euro varet nga madhësia po ashtu edhe se si njerëzit i duan. Dallon madhësia ata deshët e mëdhenj që i thonim ugiqa sa u shti një 400 euro ka edhe 500 euro”, ka thënë blektori Florim Tarakaj.
Por ai thotë se për këto çmime ka një arsye.
“Ata që nuk ia din rendësinë shumë edhe ankohen, por ata që e i dinë se sa kanë punë këta nuk ankohet se e din sa mundi duhet deri sa të bëhet me qitë në treg. Ia vlen me u merr me to, ka leverdi prej tyre është një fitim i mirë, është edhe një mundim, por është edhe një fitim i mirë”, ka përfunduar.
Traditën e tubimit dhe therjen e kurbaneve e ka vazhduar këtë vit edhe Bashkësia Islame e Kosovës.
“Bashkësia Islame fillimisht ka bërë të gjitha parapërgatitjet për therjen e Kurbaneve dhe tani kanë filluar gjithandej të vijnë porositë për therjen e Kurbaneve. Bashkësia Islame me standardet me të larta e me përgjegjësinë më të madhe e bën therjen e Kurbaneve. Njëherësh duke e pasur në konsideratë edhe aspektin shëndetësor dhe të pastërtisë”, ka thënë Kyreimani Hashani.
Ndërsa çmimi për një kurban nga BIK, është caktuar 180 euro.
“Vitin e kaluara ka qenë Kurbani 160 euro që konsiderojmë që viti i kaluar ka qenë një standard më ndryshe se në këtë vit. Këtë vit e shohim që standardi është bukur i rritur dhe në këtë vit Kurbani është 180 euro”, ka përfunduar Hashani.
Dita e parë e Kurban – Bajramit është të premten më 6 qershor 2025. /Tëvë1/