Vapa, pakujdesia dhe qëllimet e dyshimta të individëve po i kontribuojnë përhapjes së vatrave të zjarrit në Kosovë.
E brenda pak ditësh, dhjetëra hektarë janë përfshirë nga flakët, ndërsa rreziku nga flakët mbetet i lartë.
Kodi Penal për zjarrvënësit sipas avokatit, Anton Nrecaj është i ashpër.
Mirëpo ndëshkimet sipas avokatit, janë më shumë në letër sesa në praktikë.
“Dispozitat e kodit penal parashohin masa të ashpra në rastet e vënies së zjarrit, qoftë në shkaktimin e dëmit pasuror me apo pa qellim, ne kuadër të despozites së kodit penal masat e shqiptimit të dënimit janë shumë të ashpra por fatkeqësisht ne në praktikë nuk e shohim këtë gjë, nese i referohemi kodit penal, natyrisht se masa minimale e shqiptimit me burgim është 6 muaj dhe maksimale deri në 12 muaj varësisht prej kualifikimit të veprës penale apo qëllimit të zjarrëvënies, thotë Ndrecaj.
Megjithatë sipas tij, pak raste arrijnë deri në gjykatë, pasi shpesh mungojnë provat për të identifikuar zjarrëvënësit.
“Kemi pakë raste kur organet hetuese kanë ofruar argumente apo prova të mjaftueshme që të gjindet apo konstatohet se cili ka qenë shkaktari i vertetë, vetëm në ato situata kur ka pasë prova të pa kontestueshme natyrisht që është iniciu dhe ngrit aktakuzë edhe kemi raste të tilla në procese gjyqësore,vlerëson avokati.
Mirëpo përveç mungesës së provave, pengesë tjetër mbetet edhe mosraportimi i zjarreve.
Ilir Morina, njohës i çështjeve emergjente, thotë se shpesh solidariteti me keqbërësit e pengon raportimin.
“Gjobat janë të saksionuara me rregullore dhe ligje të Kosoves, mirëpo problemi është që vështirë janë të kapshme, për arsye se këto gjithmonë ndodhin në forma të ndryshme, pa vetëdije me vetëdije , në forma të fshehëta, në ara apo fusha të hapura ku nuk ka polic apo njerëz ose dikush që i sheh apo i lajmëron në shumicen e rasteve edhe populli jonë solidarizohet me keqëbërësit në mënyrë që të mos e lajmërojë apo paraqesë në polici për shkak të një fqinjësie apo miqësie që kanë kështu që të gjitha këto probleme po na dëmtojnë rëndë në çdo aspekt përfshirë këtu edhe edukaten e cila nuk po ngritet asesi”, shprehet Morina.
E sipas tij, shkaktarët kryesorë mbesin vetë njerëzit.
“Shumica vinë prej shkaktarit human dmth antropogjen, njerëzit janë shkaktarë në një formë apo në një tjetër edhe forma e temperaturave të larta, dëmet janë shumë të mëdha, dëmet më të mëdha janë jetësore kur kemi humbje të një njeru apo një zjarrfikësi”, thotë ai.
Ndërkohë Policia e Kosoves njofton se vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit janë regjistruar 109 raste të zjarrëvënies në nivel vendi.
Në anën tjetër Agjencia për Menaxhimin e Emergjent përmes një njoftimi në faqen e tyre zyrtare u bën thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në natyrë dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër apo person të dyshuar për zjarrvënie.
.