Zvarritja e konstituimit të institucioneve të reja vitin e kaluar nga VV-ja dhe moszgjedhja e presidentit këtë vit, duket se kanë një qëllim.
Opozita dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë treguar se dërgimi i vendit në zgjedhje të njëpasnjëshme është strategji e liderit të VV-së për t`u shmangur nga disa gabime që do t`i kushtojnë shtetit të Kosovës.
Ata kanë vlerësuar se Kurti në këtë mënyrë po mundohet të ik nga obligimet ndërkombëtarë që ka marrë në procesin e dialogut me Serbinë.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka bërë me dije se lideri i VV-së po tenton të shmanget nga Marrëveshje e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, të cilat i ka pranuar.
Në një internistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Kurti e di që këto marrëveshje janë kunderkushtetuese.
“Ky e din çka ka nënshkrua në Bruksel dhe në aneksin e Ohrit. Janë dy marrëveshje qartësisht antikushtetuese dhe në dem të shtetit të Kosovës. Ky tenton të iu ik atyre”, ka thënë ai.
Të njëjtin mendim ka edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.
Ai ka theksuar se Albin Kurti nuk dëshiron ta mbajë përgjegjësinë historike për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Unë mendoj se Kurti nuk do ta mbajë përgjegjësinë historike për Marrëveshjen e Ohrit dhe zbatimin e saj. Ajo marrëveshje është e përfunduar dhe pritet vetëm zbatimi. Prandaj, Kurti do ta shpërndajë përgjegjësinë. Bindja ime personale është se Kurti e ka arritur pikun e fitores më 28 dhjetor dhe nuk do të ketë numër më të madh votash. Ky nuk është qëllimi i tij. Ai është i mësuar të mbijetojë në turbulenca të tilla”, është shprehur Haradinaj.
Nder të paret që e ka përmendur friken e Kurtit nga gabimet që ka bërë në dialogun e Brukselit me Serbinë ka qenë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Para disa muajve, në një intervistë për gazetën Nacionale, Hasani kishte thënë se kjo ka qenë arsyeja kryesore pse Kurti vitin e kaluar kishte zvarritur formimin e institucioneve të reja.
“Arsyeja kryesore pse zoti Kurti nuk dëshiron konstituimin e institucioneve – ose më saktë, dëshiron ta bëjë atë duke ndarë fajin me opozitën – lidhet drejtpërdrejt me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Siç dihet, zoti Kurti ka pranuar krijimin e autonomisë politiko-territoriale serbe, e cila në kuptimin juridiko-teknik, në këto marrëveshje të vitit 2023 të aprovuara prej tij, quhet vetëmenaxhim. Ky është një term profesional i përdorur në kulturën perëndimore si emërues i përbashkët për të gjitha llojet e autonomive. Përveç këtyre marrëveshjeve, ai ka pranuar edhe draft-Statutin e Bashkimit Evropian, i cili pritet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese menjëherë pas formimit të qeverisë së re”, ishte shprehur Hasani, duke paralajmëruar se Kurti vazhdimisht do të saboton formimin e institucioneve të reja.
“Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, së bashku me draft-Statutin evropian, përbëjnë thelbin e kushtetutës materiale të cilën e ka ndërtuar vetë zoti Kurti – dhe këtë ai e di. Në kohën kur i ka pranuar, nuk ka qenë i vetëdijshëm për përmasat e tyre, por më pas e ka kuptuar. Këto zotime, në dëm të Kosovës, do të duhet t’i zbatojë pa përjashtim qeveria e ardhshme, kushdo që të jetë në pushtet. Prandaj, zoti Kurti, me sjellje që sabotojnë formimin e institucioneve të reja qendrore, po përpiqet të ndajë përgjegjësinë me opozitën, që faji të mos mbetet vetëm mbi të. Por kjo rezistencë ka kufij dhe një ditë do të thyhet, sepse nuk ka rrugë tjetër. Atëherë Kosova nuk do të diskutojë më nëse do të zbatohet autonomia, por vetëm për shpejtësinë e zbatimit të saj”, kishte vlerësuar Hasani.






