Nuk ka fitues në derbin e Londrës mes Arsenal dhe Tottenham teksa sfida e luajtur në Emirates Stadium përfundoi në barazimin 2-2. Të parët që kaluan në avantazh ishin topçinjtë të cilët patën edhe fatin me vete. Ishte Bukayo Saka që goditi fort në hyrje të zonës me topin që u devijua nga mbrojtësi Christian Romero duke nxjerrë kështu jashtë trajektore portierin Vicario.
Megjithatë, Spurs-at nuk u dorëzuan dhe barazuan tre minuta para fundit të pjesës së parë me anë të Heung Min son. Koreano-jugori shfrytëzoi një asist mjaft të bukur nga Maddison dhe mposhti portierin Raya.
Në fraksionin e dytë, Arsenal u rikthye sërish në avantazh. Edhe një herë tjetër protagonist u bë Romero që shkaktoi penallti pas një prekje të topit me dorë në zonë. Ishte VAR që ndërhyri dhe më pas arbitri akordoi penalltinë me Saka që nuk gaboi nga 11-metrat.
Gjithsesi, në aksionin pasardhës, Tottenham barazoi sërish me anë të Son. Maddison i rrëmbeu një top në mesfushë Jorginhos dhe pasoi për Son që përballë Sanchez nuk mund të gabonte. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund edhe pse të dyja skuadrat e kërkuan me ngulm triumfin.
Pas këtij rezultati, Arsenal mbetet në vendin e pestë me 14 pikë, katër më pak se kryesuesit e Manchester Cityt. Sakaq, në të njëjtën kuotë pikësh është edhe Tottenham, por me Spurs-at që mbajnë vendin e katërt në klasifikim.