Bashkimi Evropian ka konfirmuar se kanë bërë një “propozim modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tash presin nga palët që për këtë, por edhe për të gjitha çështjet tjera nga dialogu, të “veprojnë shpejtë”.
Me ç’rast, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, thotë se aktualisht parësore për Kosovën është siguria e shtetit, teksa shtoi që pas 24 shtatorit në Banjskë, çështja e Asociacionit nuk është në rend të diskutohet.
“Siguria e shtetit është parësore, nuk mund të mendojmë për asnjë lloj Asociacioni, ose çështje të tjera kur kemi një situatë të tillë, si ajo e 24 shtatorit. Askush nuk mund të na garantojë që nuk do të përsëritet ajo ditë. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Ohrit, të shikojmë si po bëhen zhvillimet. Vazhdimi i dialogut do të marrë kohë. Primare e parësore është siguria. Kurti gjithmonë ka ofruar alternativa dhe ka qenë gjithmonë konstruktiv. Kosova pas 24 shtatorit, ka një momentum të ri”, deklaroi Tishukaj-Sadiku në emisionin “Ditari”.
Andaj, Tishukaj-Sadiku, e vlerësoi të padrejtë kërkesën për themelim të Asociacionit, pasi sipas saj, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, po bëhet “spastrim etnik në heshtje”.
“Është e papranueshme që Kosovës t’i kërkohet themelimi i Asociacionit, derisa vëllezërve e motrave tona në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në heshtje u pasivizohen dhe adresat e tyre nuk kanë të drejtë të kthehen aty. Atje po ndodhë spastrim etnik në heshtje”, shtoi tutje deputetja e VV-së në Tëvë1.
Ndërkaq, sa i përket shtrirjes së sovranitetit në veri të vendit, kjo e fundit tha se në aspektin teknik dhe praktik në teren, Kosova e mbizotëron komplet territorin e veriut.