Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe partia e tij, duket se i morën të mirëqena votat e Nismës për votimin e qeverisë, edhe pse nuk arritën marrëveshje për bashkëpunim. Veç një ditë pasi subjekti politik i Fatmir Limajt, vendosi të mos e votojë kabinetin e prezantuar nga Kurti, nisën akuza në drejtim të tij. Jo për nivelin qendror, por për atë lokal, raporton Klankosova.tv
Deklaratës së përfaqësuesit të LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, burri i Albulena Haxhiut, i cili pretendoi se rezultati zgjedhor i Nismës në Malishevë është manipuluar, i ka reaguar deputetja e kësaj partie, Arbëreshë Krasniqi.
Në një prononcim për Klankosova.tv, Krasniqi tha se mbështetja e Nismës në Malishevë është e konsoliduar prej vitesh dhe vetëm sa po thellohet.
Sipas saj, dy gjëra janë të patjetërsueshme dhe që i përkasin Nismës dhe liderit të saj.
“Është e patjetërsueshme që Autostrada e Kombit është projekt i Fatmir Limajt, ashtu sikurse është e patjetërsueshme që Malisheva urbane dhe zhvillimi i saj urbanistik mban emrin e Ekrem Kastratit.
Është edhe e patjetërsueshme që Malisheva është vendlindja e kryetarit Limaj.
Prandaj, fitorja e Nismës në Malishevë vetëm sa po shkon duke u thelluar dhe duke u bërë edhe më madhështore”, ka deklaruar Krasniqi






