Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albena Reshitaj ka thënë se nuk beson që ka pasur manipulime të votave në Mitrovicë të Jugut, ku atje të hënën është ndërprerë procesi i numërimit të votave.
Reshitaj ka thënë se akuzuat për manipulim të votave janë tendencat të njerëzve të pakënaqur.
Ajo ka thënë se lufta ndaj Faton Pecit ka nisur para zgjedhjeve.
“Nuk e besoj që ka pas manipulime të tilla. Verdikti qytetar ishte ai që morëm dje dhe të gjitha të tjerat janë tendenca, tentativa të njerëzve të pakënaqur të cilat do të shuhen kur s’do të ketë asgjë. Gara për Mitrovicën nuk ka qenë një garë mes partive politike, por një luftë e ashpër në mes të vjetrës dhe asaj të resë, që është kandidat ynë, Faton Peci”, ka thënë ajo në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Sa i përket rastit ku është ndërprerë numërimi i votave në Mitrovicë të Jugut, ajo ka thënë se çdo dyshim duhet të zbardhet.
“Duhet ta lëmë Prokurorinë, organet kompetente të merren me këtë çështje dhe ta trajtojnë me seriozitetin më të madh, ndonëse dolën informacione që mund të jetë një gabim teknik. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund”, ka thënë Reshitaj.
Në Qendrën e Numërimit të Votave në Mitrovicë të Jugut është ndërprerë votimit për shkak të mospërputhjeve të numrave serik në fletëvotime.
Nga KQZ kanë bërë të ditur se në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut gjatë printimit është bërë një gabim në kodin e fletëvotimeve.






