Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së është i padrejtë.
Ajo për Gazeta Blic thekson se është e padrejtë që 24 vite pas çlirimit të Kosovës, të krijohet tribunal për gjykim të krimeve të luftës vetëm për një nacionalitet, për shqiptarët.
“Ne kemi potencuar dhe kemi thënë që është e padrejtë ajo që po ndodh sepse nuk është e drejtë që 24 vjet pas çlirimit të krijohet një tribunal apo dhoma të specializuara për gjykimin e krimeve të luftës dhe në atë kohë që është votuar është bërë një gjykatë një nacionale sepse nuk po gjykohen të gjithë ata që kanë bërë krime por vetëm një nacionalitet”, thotë ajo.
Deputetja potencon se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se beson në drejtësinë ndërkombëtare, e shpreson që edhe ish krerët e UÇK-së, sikur Haradinaj, Limaj e të tjerë, të shpallen të pafajshëm dhe të kthehen në atdheun e tyre.
“Ne kemi bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare, besojmë në drejtësinë ndërkombëtare dhe shpresojmë që shumë shpejt, sikurse në rastet e tjera si të z.Haradinaj, z.Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, edhe këta do të shfajësohen, do ta mbrojnë veten, do ta mbrojnë luftën e drejtë të UÇK-së dhe do të kthehen në familjet e tyre dhe atdheun. Besoj se ata do ta kalojnë edhe këtë sfidë”, vlerëson Time Kadrijaj për Gazeta Blic.
Kurse, lidhur me zërat për mundësinë e zhbërjes së Gjykatës Speciale, ajo thotë se tani është shumë vonë dhe se është dashur të mendohet kur është formuar, për çka thotë se është e lumtur që në atë kohë ka votuar kundër saj.
Ajo shton se Specialja edhe pse thirret në emër të Kosovës, nuk është e Kosovës, nuk raporton në asnjë mekanizëm të Kosovës dhe është mjaft e pavarur, por që tani zhbërja nuk ka kuptim.
“Besoj që është vonë, është dashur të mendohet atëherë kur ka ardhur në kuvend që të mos votohet sepse edhe unë kam qenë në atë kohë deputete dhe jam e lumtur që nuk e kam votuar formimin e gjykatës speciale dhe tani me plot zërin mund të them se kjo gjykatë tash lëre që nuk ka kompetenca të Kosovës, thirret në emër të Kosovës, si gjykatë e Kosovës, por nuk raporton askund, nuk ka asnjë mekanizëm që ajo raporton në Kosovë. Nëse është e Kosovës, punon me ligje të Kosovës, është dashur të jetë një burim se ku raporton ajo dhe është çuditshëm kur dënohen, si rasti i komandant Calit që dënohen në emër të Kosovës, jo në emër të Kosovës jo, apo të popullit të Kosovës sepse nuk po i raportoni mekanizmave të Kosovës. Është një gjykatë tepër e pavarur dhe mendoj se tani zhbërja është një proces që nuk e ka kuptimin”, deklaron deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.