Deputeti kosovar në Kantonin e Bernit në Zvicër, Korab Rashiti në një intervistë për Periskopin ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Duke folur për ngërçin në politikën kosovare, ai e ka konsideruar absurde vendimin e Kurtit që pas 33 herave të propozojë Albulena Haxhiun si kryeparlamentare.
“Situata aktuale në Kosovë është simptomë e një bllokade institucionale serioze. Është absurde që një parti, ndonëse ka dalë e para në zgjedhje por pa shumicë parlamentare, insiston të paraqesë më shumë se 33 herë të njëjtën kandidate për pozitën e kryetares së Kuvendit. Ky veprim nuk reflekton një përpjekje për zgjidhje, por përkundrazi, një strategji bllokuese. Sistemet parlamentare janë të ndërtuara mbi kompromisin dhe dialogun – dhe në këtë rast, opozita ka treguar gatishmëri që të mbështesë kandidatura të tjera për këtë pozitë”, deklaroi ai.
E kjo po ndodh qëllimisht nga Kurti për të fituar kohë, thotë deputeti Rashiti.
“Këmbëngulja e Vetëvendosjes, dhe veçanërisht e kryetarit të saj Albin Kurti, duket se ka për qëllim fitimin e kohës dhe ruajtjen e status quo-së, në pritje të ndonjë rrethane të jashtëzakonshme që do t’i mundësonte të imponojë një zgjidhje të njëanshme. Kjo është një qasje e papërgjegjshme, sidomos duke marrë parasysh se z. Kurti ka qenë kryeministër dhe e di mirë se stabiliteti institucional është në thelb të funksionimit demokratik. Në një sistem parlamentar, nuk janë karriget personale apo interesat e bashkëpunëtorëve të afërt ato që duhet të jenë në rend të parë, por interesi kombëtar”, deklaroi ai për Periskopin.
Sipas deputetit zviceran, opozita me numrat e duhur mund ta tejkalojë këtë pikë.
“Sa i përket opozitës, nëse ajo është në gjendje të paraqesë një plan të qartë dhe të mbledhë shumicën prej 61 deputetësh, atëherë duhet të jetë e mundur që të tejkalohet ideja se vetëm partia më e votuar ka të drejtë ekskluzive për të formuar institucionet. Demokracia e konsoliduar nuk bazohet vetëm në aritmetikë zgjedhore, por mbi aftësinë për të ndërtuar shumica funksionale përmes konsensusit politik”, ka thënë Rashiti.
Korab Rashiti i cili është deputet në Zvicër ka thënë se diskursi i Kurtit ishte “ose unë, ose askush”.
Ndërsa tani, Rashiti thotë se kryeministri në detyrë po përballet me demokraci.
“Nuk besoj se kemi të bëjmë thjesht me inate politike. Nga ajo që kam vërejtur gjatë më shumë se një dekade, duke ndjekur diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe veçanërisht të Albin Kurtit, problemi qëndron te një qasje e përhershme e ndarjes bardh e zi: “ose unë, ose askush”, “unë kundër të gjithëve”. Tani, ai po përballet me realitetin e një demokracie parlamentare – ku kompromisi, dialogu dhe respekti institucional duhet të kultivohen në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjate”, u shpreh ai.
Madje, ai thotë se kryetari i VV’së po e vuan populizmin që e ka mbjellur.
“Z. Kurti sot po e vuan populizmin që vetë e ka mbjellë për më shumë se dhjetë vjet në skenën politike. Ai vazhdon të sillet me kokëfortësi, por mendoj se do të kishte shumë për të fituar nëse do të ndryshonte qasjen dhe narrativën – jo vetëm për të mirën e tij si politikan, por mbi të gjitha për të mirën e kombit, i cili ka nevojë për udhëheqës që dinë të bashkëpunojnë” deklaroi ai.
Këtë situatë duhet të i jap fund, Vjosa Osmani, thotë Korab Rashiti deputet në Zvicër.
Për t’i dhënë fund kësaj situate, Rashiti thotë se as Vjosa Osmani nuk e ka urgjente sepse sipas tij ajo e ka vëmendjen tek vizitat jashtë vendit.
“Kosova është një shtet i vogël, me një popullsi të krahasueshme me kantonin e Cyrihut, por me një ekonomi që është rreth njëzet herë më e vogël. Dikush, në një moment, duhet t’i japë fund kësaj situate të bllokuar. Megjithatë, duket se Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani, nuk e ndien urgjencën e këtij momenti – ajo duket më e përkushtuar ndaj vizitave protokollare jashtë vendit sesa menaxhimit të krizës së brendshme institucionale”, ka thënë ai.
Deputeti Rashiti propozon që partitë politike duhet ta ndajnë pozitën nga një vit, duke e vlerësuar si mënyrë që do t’i ulte tensionet politike.
“Një zgjidhje efektive për Kosovën do të ishte që gjatë një legjislature katërvjeçare, katër partitë më të mëdha të Kuvendit ta ndajnë këtë pozitë për nga një vit, sipas renditjes së tyre elektorale: nga partia e parë e deri te partia e katërt. Ky sistem do të ulte tensionet politike, do të nxiste bashkëpunimin ndërpartiak dhe do t’i jepte kësaj pozite kuptimin që realisht ka – një rol nderi, simbolik, që përfaqëson unitetin kombëtar dhe konsensusin institucional, dhe jo një post me fuqi ekzekutive”, potencoi ndër të tjera ai.
Periskopi ka pyetur Korab Rashitin edhe për një proces të ri të mundshëm të zgjedhjeve bashkë me ato lokale.
Ai deklaron se nëse kryetarët do të pajtoheshin për këtë, do të duhet të marrin përgjegjësinë publike edhe për çështjen e presidentit.
“Që procesi i numërimit të votave të jetë profesional, i shpejtë dhe i paanshëm, pa vonesa dhe pa dyshime mbi rezultatin;
Që, në rast se pas zgjedhjeve konfigurimi politik mbetet i pandryshuar, siç është e pritshme me ndryshime vetëm margjinale, liderët politikë të dorëhiqen nga pozitat e tyre në krye të partive për të hapur rrugë një gjeneratëje të re apo një modeli të ri politik; Që këto zgjedhje të mos jenë vetëm lokale dhe parlamentare, por zgjedhje të përgjithshme reale, ku edhe Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani, të deklarojë paraprakisht gatishmërinë për t’ia nënshtruar mandatin e saj vlerësimit të qytetarëve, për hir të përgjegjësisë institucionale dhe morale; Që partitë politike të shkojnë në zgjedhje me koalicione të qarta dhe marrëveshje të dakorduara paraprakisht, në mënyrë që qytetarët të kenë një pasqyrë të qartë se çfarë programi dhe çfarë drejtimi mbështesin me votën e tyre”, u shpreh deputeti Rashiti.
Në një intervistë për Periskopin, deputeti shqiptar në kantonin e Bernit në Zvicër komentoi edhe deklaratën e presidentit të SHBA’së, Donald Trump.
Ai tha se katër vitet e ardhshme janë vendimtare për konfliktin Kosovë-Serbi.
Kjo, sipas Rashitit pasi Trump dëshiron të bëhet presidenti historik që sjellë marrëveshje të mëdha në botë.
“Kjo është pikërisht çështja qendrore. Ashtu siç e kam theksuar qartë gjatë fushatës, këto katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për dosjen Kosovë–Serbi, për faktin se Donald Trump e ka bërë të qartë se dëshiron t’i zgjidhë disa prej çështjeve më të mëdha ndërkombëtare për të hyrë në histori si presidenti amerikan që solli marrëveshje të mëdha në skenën globale”, ka thënë deputeti Rashiti.
Për këtë çështje, Rashiti thotë se pala kosovare duhet të jetë e përgatitur politikisht, e jo një që mbështetet në populizëm.
“Megjithatë, Kosova nuk ka nevojë për politikanë që veprojnë me mentalitet “all-in” në politikën ndërkombëtare, duke u mbështetur në populizëm apo kalkulime afatshkurtra. Kosova ka nevojë për një klasë politike që mendon në mënyrë strategjike dhe afatgjate, dhe që e kupton se çështje të tilla nuk mund të përdoren për karriera personale. Çfarëdo marrëveshjeje që të ndodhë – nëse ndodh – kompromiset do të jenë të domosdoshme nga të dyja palët, si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova. Prandaj, është thelbësore që pala kosovare të jetë e përgatitur mirë politikisht dhe diplomatikisht”, deklaroi deputeti.
Rashiti potencon se Kosova duhet të tregojë pjekuri dhe të ndalojë egot personale.
“Zgjidhja ideale do të ishte një qeveri e unitetit kombëtar, ku njerëzit e duhur vendosen në pozitat kyçe për të përballuar këtë periudhë kritike katërvjeçare. Duhet vendosur një parantezë ndaj lojërave politike të përditshme, sepse tani nuk po flasim më për zgjedhje të zakonshme – por për pasoja historike që do të ndikojnë në fatin e brezave të ardhshëm. Është koha të tregojmë pjekuri dhe të ndalim kapjen e së ardhmes së vendit nga egot personale dhe logjika “ose unë, ose askush”, u shpreh ai.