Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit për organizimin e PDK-së në Mërgatë, Elmi Reçica ka mbajtur një takim në nëndegën e kësaj partie në Cyrih, ku ishin të pranishëm kryetari i degës për Zvicër, Ragip Xhaka, drejtues tjerë të degës, nëndegëve dhe qytetarë.
Z. Reçica ka theksuar se “do të themelojë Ministrinë e Mërgatës dhe Bashkëpunimit Ndërshqiptarë, për ligjin për investimet strategjike, ku hapësirë e veçantë dhe përparësi do t’u ipet investitorëve që do të vijnë prej mërgatës tonë, dhe për reformën zgjedhore ku do të insistojmë që Mërgata të jetë e përfaqësuar denjësisht në Parlamentin e Republikës sonë”.
Postimi i plotë i z. Reçica:
Në organizim të nëndegës së PDK-së për Kantonin e Cyrihut, pata kënaqësinë që së bashku me kryetarin e Degës së PDK-së për Zvicër, z. Ragip Xhaka dhe drejtues të tjerë të degës, të takoj dhe të bashkëbisedoj me bashkatdhetarët tanë të Kantonit të Cyrihut, në mesin e të cilëve prezent ishin veprimtarë të devotshëm të çështjes kombëtare, si dhe përkrahës e struktura drejtuese të PDK-së.
Roli dhe kontributi i mërgatës në çlirimin dhe shtetndërtimin ka qenë jetik për shtetin e Kosovës. Madje, me remitencat e tyre ata po vazhdojnë edhe sot ta mbajmë gjallë ekonominë tonë.
Kriza ekonomike dhe sociale që e ka kapluar vendin tonë, inflacioni i vazhdueshëm, grevat në arsim dhe shërbim civil, investimet e pakta kapitale vetëm 9%, mosmbështetja e sektorit privat, janë pasojë e mosdijes dhe keq qeverisjes së Albin Kurtit dhe partisë së tij.
Sjelljet dhe veprimet linçuese ndaj punëtorëve të arsimit dhe shërbimit civil dhe organizimit të tyre sindikal SBASHK, janë të papranueshme dhe janë veprime diktatoriale, veçanërisht nga një parti me orientim ideologjik të majtë. Është i papranueshëm diskursi i Albin Kurtit kundrejt mërgatës tonë, i cili shpërfaqë fytyrën e vërtetë të një mashtruesi, i cili ka shuar Ministrinë e Diasporës, ka mashtruar me polisat e sigurimit, dhe tash së fundi mërgimtarët tanë i ka cilësuar si analfabetë që përfundojnë si punëtorë krahu në mërgatë.
Partia Demokratike e Kosovës angazhohet fuqishëm për të vërtetën, do të themelojë Ministrinë e Mërgatës dhe Bashkëpunimit Ndërshqiptarë, për ligjin për investimet strategjike, ku hapësirë e veçantë dhe përparësi do t’u ipet investitorëve që do të vijnë prej mërgatës tonë, dhe për reformën zgjedhore ku do të insistojmë që Mërgata të jetë e përfaqësuar denjësisht në Parlamentin e Republikës sonë.
https://www.facebook.com/photo/?fbid=677401270410900&set=pcb.677401487077545