Deputeti opozitar serb nga partia “Zajedno”, Gjorgje Miketiq, thotë se pas asaj çfarë ndodhi në Banjskë të Zveçanit, presidenti serb, Aleskandar Vuçiq duhet të japë dorëheqje. Sipas tij, agjencitë e sigurisë në Serbi kanë pasur informacione për aksionin e grupit të armatosur.
Deputeti opozitar serb nga partia “Zajedno”, Gjorgje Miketiq, thotë se agjencitë e sigurisë në Serbi kanë pasur informacione për atë se çfarë ndodhi në veriun e Kosovës.
Prandaj, ai vlerëson se përgjegjësinë kryesore për sulmin në Banjskë duhet ta mbaj presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, i pari i Serbisë duhet të japë edhe dorëheqje.
“Ajo çfarë ndodhi në Banjskë është me të vërtetë tragjike dhe unë e dënoj sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë edhe një rreshter. Ne si opozitë e mbajmë përgjegjës Vuciqin për këtë ngjarje, pavarësisht nëse ka qenë apo jo në dijeni. Nëse nuk ka qenë ai në dijeni, nuk do të thotë se agjencitë e sigurisë në Serbi nuk kanë pasur informacione për këtë ngjarje. Ndihem shumë keq sepse këto zhvillime t’i kujtojnë vitet e 90-ta ku shumë persona kanë vuajtur si pasojë e luftës. Njerëzit në Kosovë kanë akoma trauma nga lufta e fundit””, tha ish deputeti serb, Gjeorgjie Miketiq.
Përgjegjësinë kryesore për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Por kështu nuk mendon, Gjorgje Miketiq, i cili thotë se ka edhe persona të tjera të përfshirë në këtë rast.
Sipas tij, të gjithë ata ishin pjesë e këtij operacioni, duhet të sillen para drejtësisë.
“Jo vetëm Radoiçiq por të gjithë ata që morën pjesë në këtë aksion duhet të përballen me drejtësinë. Unë nuk e besoj që përgjegjës kryesor këtu është vetëm Radoiçiq, ka edhe shumë faktorë të tjerë që ne akoma nuk i dimë. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë që e dëmton Serbinë, dhe u bë në një moment kur Serbia ishte në një pozitë të mirë në dialog me Kosovën. Unë mendoj se presidenti Aleksandar Vuçiq duhet të japë dorëheqje për shkak të këtyre zhvillimeve”, u shpreh Miketiq.
Më 24 shtator një grup i personave të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku.