-11.1 C
New York
Wednesday, January 22, 2025

Buy now

Deputeti malazez ua rikujton partive shqiptare që bën koalicion me Mandiçin: Zbatoi politiken e Millosheviçit e spastrimit etnik të Kosovës

- Advertisement -

Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi, Andrija Nikoliç, gjatë seancës ka kritikuar  Forumin Shqiptar e cila është partia më e madhe në Mal të Zi që udhëhiqet nga Nik Gjeloshaj, pasi ky i fundit ka pranuar ofertën e liderit të Lëvizjes Evropa Tani – fitueses së zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit – Milojko Spajiç, për ndarjen e ministrive për formimin e qeverisë së re.

“Përfaqësuesit e partive shqiptarë harruan se Mandiç ka qenë pjesëtar i ushtrisë jugosllave dhe ka zbatuar politikën e Sllobodan Millosheviçit, politikën e spastrimit etnik të Kosovës”, tha ai gjatë seancës së Kuvendit të Malit të Zi, raporton mediumi malazez Vijesti.

Edhe deputetja e tjetër e kësaj partie, Aleksandëra Vukoviç, theksoi se Mandiç nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

“Është betuar se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës”, theksoi ajo.

Lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiç, i mandatuar nga presidenti malazez, Jakov Milatoviç, për të formuar qeverinë e 44-të në Mal të Zi, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, ka arritur marrëveshje me partitë pro ruso-serbe, si dhe ato shqiptare për të formuar qeverinë që do të udhëhiqet nga ai.

Shqiptarët do të kenë një pozitë të zëvendëskryeministrit, atë për Politikë Ekonomike, që do ta udhëheqë bartësi i listës së koalicionit të “Forumit Shqiptar”, Nik Gjeloshaj.

Gjeloshaj, i cili aktualisht është Kryetari i Komunës së Tuzit, do jetë edhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Pos Gjeloshajt, edhe dy shqiptarë do të jenë pjesë e ekzekutivit malazez.

Marash Dukaj do të jetë Ministër i Administratës Publike, dhe Fatmir Xheka i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve.

Sipas mediave malazeze, do të jetë interesante të shihet nëse Mandiç do t’i përmbushë premtimet që ka dhënë më 8 qershor 2017 në një intervistë për gazetën ruse “Izvestiya” se nëse ai vjen në pushtet, Mali i Zi do të jetë vendi i parë që do të largohet nga NATO dhe do të çnjoh Kosovën.

Mandiç e sheh Putinin si president të tij

Në vitin 2019, presidenti rus, Vladimir Putin, u takua në Beograd me Andrija Mandiçin dhe një udhëheqës tjetër të Frontit Demokratik, Millan Knezheviç, të cilët atëkohë kanë qenë në opozitë.

“Mandiç dhe Knezheviç ia kanë përcjellë presidentit të Rusisë përshëndetjet e popullit serb në Mal të Zi dhe kanë theksuar se shumica e Malit të Zi e percepton atë si president të vetin”, ka thënë atëkohë Fronti Demokratik.

Sipas atij njoftimi, Putin u ka thënë atyre se janë “heronj të vërtetë” dhe se duhet “të durojnë”.

Mandiç dhe Knezheviç janë akuzuar se kanë planifikuar një “grushtshtet” në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi, në vitin 2016, së bashku me anëtarët e shërbimit rus, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, si dhe me tetë shtetas të tjerë serbë.

Rasti është lidhur me përpjekjet për ta penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit