Në një debat të mbajtur në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, eurodeputetët diskutuan për situatën aktuale në Serbi. Deputeti kroat në Parlamentin Evropian, Tomislav Sokol, kritikoi ashpër Beogradin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar Serbinë si një “vrimë të zezë të Evropës Juglindore”.
“Serbia po ngjan gjithnjë e më shumë me një vrimë të zezë në Evropën Juglindore. Tashmë dihet prej kohësh që bëhet fjalë për një shtet autoritar me kontroll të plotë shtetëror mbi të gjitha segmentet e shoqërisë, veçanërisht mbi mediat, të cilat pushteti i përdor sipas dëshirës. Përpjekjet e fundit për të arsyetuar dështimin tragjikomik për të organizuar një takim me presidentin Trump janë kulmi i manipulimit të pacipë të opinionit publik – diçka që prej kohësh nuk është parë në Evropë,” tha Sokol.
“Ideja e ‘botës serbe’ është në thelb një politikë agresive hegjemoniste, e cila çoi ndër të tjera në Luftën e Atdheut në Kroaci dhe në konfliktet në Bosnje e Hercegovinë gjatë viteve ’90. Mjafton të shikojmë rastin e Malit të Zi, ku elementët pro-serbë praktikisht kanë marrë kontrollin e pushtetit, duke e shtyrë në margjinë edhe subjektin më të fuqishëm politik, lëvizjen ‘Evropa Tani’. Një nga faktorët kyç në këtë është Kisha Ortodokse Serbe, patriarku i së cilës e ka bërë të qartë në Moskë se aleatin kryesor e sheh te Rusia dhe jo te Perëndimi,” u shpreh ai.
Sipas Sokol, problemi i hegjemonizmit serb është shumë më i thellë sesa vetëm Aleksandar Vuçiq.
“Paqe në Evropën Juglindore nuk do të ketë derisa Serbia të kalojë një katarzë të vërtetë dhe të përballet me dështimet dhe iluzionet e saj. Serbia në këtë formë nuk ka vend në Bashkimin Evropian,” përfundoi eurodeputeti kroat.