Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka kërkuar që niveli i sigurisë për kryeministrin Albin Kurti duhet të ngritet, pas deklaratave të ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
Dugolli përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar se Klinaku duhet të largohet nga kjo pozitë dhe të kërkojë falje.
“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk bën të heshtin por urgjentisht të kërkojnë largimin e tij nga ai post duke u shprehur se nuk pajtohen me logjikën e vrasjes si metodë e largimit nga pushteti të Kryeministrit të Kosovës.” – ka thënë ai.
Në fund të postimit të tij, Dugolli ka kërkuar që Prokuroria të aktivizohet dhe të shohet niveli i sigurisë për kryeministrin Kurti.
“Albin Kurtin shumë herë e kanë kërcënuar (madje gjatë luftës në burgjet serbe e kanë torturuar deri në prag të vdekjes) por nuk kanë arritur asnjëherë ta frikësojnë. Megjithatë niveli i sigurisë për kryeministrin Kurti duhet ngritur e Prokuroria të aktivizohet.” – tha ai.
Ndërkohë, në një postim të publikuar mbrëmë, Klinaku deklaroi:
“As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova.”