Deputeti i ardhshëm i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Agim Bahtiri, është i bindur se Qeveria Kurti 3 do të marrë mbështetje nga tre deputetët e Nisma-s Social Demokrate.
Në një emision të DTV-së, ai ka konfirmuar se Fatmir Limaj do ta përkrahë partinë e Albin Kurtit pa asnjë kusht, transmeton Indeksonline.
“Unë Fatmirin e çmoj për luftën që ka zhvilluar dhe e respektoj si njeri, pavarësisht se a do të jetë në Lëvizje apo jo. Mendoj se ai ka dhënë një kontribut të çmuar për bashkimin dhe ka mbështetur pa dallim. Kam njohuri se ai është në gjendje ta përkrahë Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ pa asnjë kusht, për të çuar përpara proceset që ai mendon se janë për të mirën e vendit. E vlerësoj pozitivisht dhe e falënderoj për guximin dhe bindjen e thellë që ka për të mirën e vendit,” u shpreh ai.
Sipas Bahtirit, kjo mbështetje do të kurorzohet pas përfundimit të proceseve ligjore të zgjedhjeve.
“… dhe do të jemi aty ku na ka vendosur populli. Siç thotë populli, gjithçka ka kismet. Deputetët kanë të drejtën të lëvizin, sepse populli i ka votuar,” tha ai.