Deputeti Arbër Rexhaj ka përmendur se janë mbledhur 5000 fakte, të cilat janë publikuar nga Policia e Kosovës në një konferencë për media.
Rexhaj ka shprehur shqetësimin për mungesën e veprimeve të drejtësisë, duke e cilësuar këtë si një dështim të rëndë për të drejtën dhe përpjekjet e Kosovës për të mbrojtur integritetin e saj.
“Pra janë 5000 fakte deponuara, 5000 fakte të cilat policia e Kosovës publikisht në një konferencë për media ku ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë kanë treguar pra arsenalin se çfarë kanë gjetur në Banjskë , është vrarë një rreshteri Afrim Bunjaku tashmë dëshmor i kombit ndonëse në anën tjetër nuk kemi asnjë veprim të drejtësisë në këtë aspekt dhe sigurisht kjo është për keqardhje”, ka thënë Rexhaj për Front Online.
Ai ka kritikuar gjithashtu aleatët ndërkombëtarë që, në vend që të bëjnë trysni ndaj Serbisë për dorëzimin e Radojçiqit dhe terroristëve të tjerë, kanë vendosur masa ndaj Kosovës.
Rexhaj e ka cilësuar këtë si një lloj të padrejtësie të madhe që i bëhet Republikës së Kosovës, duke theksuar se sjellja e Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë është e padrejtë në raport me Kosovën, veçanërisht në kontekstin e sulmit terrorist në Banjskë që sipas tij kishte për qëllim aneksimin e një pjese të veriut të Kosovës.