Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku ka dalë në mbështetje të Petrit Hajdarit si kandidat për kryetar të Drenasit.
Demaku përmes një postimi në Facebook tha se “miratimi i kandidaturave me emra të rinj është dëshmi e qartë se në Partinë Demokratike të Kosovës, vendimet merren në mënyrë demokratike dhe të përbashkët nga organet e saj drejtuese”.
Postimi i plotë:
Miratimi i kandidaturave me emra të rinj është dëshmi e qartë se në Partinë Demokratike të Kosovës, vendimet merren në mënyrë demokratike dhe të përbashkët nga organet e saj drejtuese.
Kryesia e PDK-së ka vendosur që, për zgjedhjet e ardhshme lokale, të kandidojë Petrit E. Hajdarin për kryetar të Komunës së Drenasit. E mbështes me besim të plotë këtë vendim dhe kandidaturën e tij. Petriti përfaqëson një gjeneratë të re, të përkushtuar dhe me vizion të qartë për të ardhmen.
Jam i bindur se ai do të zhvillojë një fushatë dinjitoze, të bazuar në vlera, ide dhe program të mirëfilltë, ku qytetari dhe nevojat e tij do të jenë në qendër të vëmendjes. Nën udhëheqjen e tij, Drenasi do të ecë përpara në rrugën e zhvillimit dhe mirëqenies, bashkë me PDK-në.
Në këto momente të rëndësishme për vendin tonë, kemi më shumë se kurrë nevojë për unitet dhe bashkim. Kjo frymë e bashkimit dhe përkushtimit ka qenë gjithmonë pjesë e ADN-së së PDK-së, e kultivuar dhe trashëguar nga liderët tanë historikë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.