Qytetarët e Kosovës sot kanë filluar ditën me reduktime të energjisë elektrike, kjo pas vendimit të KEDS-it.
KEDS-i përmes një komunikate për media ka njoftuar se nga sot vendi ynë do të përballët me reduktime, 6 orë rrymë e më pas 2 orë reduktime
Por kjo situatë nuk zgjati shumë.
Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se është kthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike, pasi Shqipëria i ka dalur në ndihmë Kosovës për bashkëpunim mes korporatave energjetike të dy vendeve.
Për kryetarin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shalën vendimi për reduktime vie nga mashtrimi i Qeverisë në pushtet.
Shala thotë për Front Online se asnjë vend në rajon nuk ka reduktime, kjo tregon se ne kemi paaftësi qeverisëse.
“Reduktimet e rrymës janë pika më e dukshme dhe transparente e keq menaxhimit qeverisës. Ne si PDK kemi ngritur shqetësime po thuajse që një vit. Qeveria Kurti ka mashtruar dhe po vazhdon të mashtroj me lojëra të tilla në emër të investimeve, projekteve, MCC që nuk ka realizuar asgjë. Në kohën ideale të prodhimit nuk kemi asgjë dhe askush në rajon nuk e ka as në plan të ketë reduktime të rrymës ne si prodhues vendor që kemi mbi 90% të rrymës që i plotësojmë kriteret sot kemi reduktime, kjo tregon për paaftësi qeverisëse dhe mungesën e idesë dhe njerëzor e intelektual për të punuar në këtë fushë”, potencoi Shala
Deputeti i PDK-së tha se situata me energji elektrike do të përkeqësohet në vjeshtë.
Sipas tij, me këtë qeverisje nuk do të ketë përmirësime në sektorin energjetikë.
“Ky është vetëm fillimi i reduktimeve fatkeqësisht dhe nuk shohë përmirësim me këtë politik dhe me këtë Qeveri. Në këtë sektor situate është e mjerueshme dhe situata do të vijë duke u përkeqësuar ditëve në vazhdim e sidomos në sezonin vjeshtor”, u shpreh ai.