-6.7 C
New York
Tuesday, January 21, 2025

Buy now

Deputeti austriak: Dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke

- Advertisement -

Nuk po sheh mjaftueshëm gatishmëri nga Kosova dhe Serbia për t’i normalizuar marrëdhëniet me njëra tjetrën.

Andaj deputeti austriak, Helmut Brandstatter, thotë se me këtë qasje asnjëri nga shtetet nuk mund bëhet pjesë e bllokut evropian.

Sipas tij, normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndodh vetëm atëherë kur ato e pranojnë pavarësinë e njëra tjetrës.

“Të jem i sinqertë me ju, fillimisht isha shumë optimist se Kosova dhe Serbia po lëviznin në drejtimin e duhur përmes arritjes së marrëveshjes së Ohrit por tani po e shohim një situatë krejtësisht ndryshe, palët janë ende larg njëra tjetrës. Do të ishte mirë që Kosova dhe Serbia të nxjerrin disa mësime nga shtetet evropiane, të cilat ishin gatshme për pajtim pas Luftës së Dytë Botërore. Të dyja vendet duhet ta kuptojnë se e vetmja mundësi për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian një ditë është që ta njohin pavarësinë e njëra tjetrës, dhe këtë problem vazhdon ta këtë veçanërisht Serbia”, tha Brandstatter për Tëvë1.

Politikani austriak, thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e fshehin zhgënjimin që kanë me qeverinë e Kosovës.

Ai shton se do të ishte në interesin e Kosovës që në këtë fazë të dëgjoheshin këshillat e amerikanëve.

“E shoh se në periudhën e fundit amerikanët janë shprehur kritik ndaj qeverisë së Kosovës për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Tani unë nuk jam në atë pozitë për t’i treguar kryeministrit Kurti se çfarë duhet të bëjë, por kur amerikanët e shprehin hapur zhgënjimin e tyre atëherë do të ishte në interesin tuaj që t’i dëgjosh. Nuk është për tu vlerësuar kur politikanët synojnë të marrin sa më shumë vota përmes konflikteve, edhe pse kjo mund të përkrahet nga shumica e qytetarëve. Ndonjëherë ju duhet të merrni vendime jopopullore për që shërbejnë në të mirë të bashkëpunimit mes shteteve”, shtoi Brandstatter.

Ndërmjetësuesi i procesit të dialogut, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. BE-ja, pret që palët të arrijnë progres në dialog gjatë muajve të ardhshëm.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit