Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka komentuar për rrjetin prestigjioz amerikan CNN në lidhje me rolin e prokurorit special Jack Smith dhe ndikimin e tij në zhvillimet politike dhe diplomatike në Kosovë.
Behrami ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si Jack Smith ka menaxhuar aktakuzën ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se kjo ka dëmtuar rëndë procesin e paqes të udhëhequr nga administrata e atëhershme amerikane, nën Presidentin Donald Trump.
“Njoftimi për aktakuzën ndaj Presidentit Thaçi u bë publik vetëm pak ditë para samitit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë, ndonëse ajo ishte ngritur dy muaj më herët. Ky veprim jo vetëm që e zbehu kredibilitetin e SHBA-ve si ndërmjetësues, por i dha një goditje të rëndë përpjekjeve për një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë,” u shpreh Behrami.
Sipas tij, veprimet e Smith nuk mund të shihen jashtë një konteksti politik, pasi ndikuan drejtpërdrejtë në përmbysjen e një iniciative të rëndësishme diplomatike amerikane dhe në rrëzimin e një lideri kyç për paqen në rajon.
Behrami i bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të shqyrtojnë jo vetëm aktakuzën ndaj Thaçit, por edhe motivet dhe pasojat që kanë ardhur si rezultat i vendimeve të Jack Smith.